Vendosni fjalën kyçe....

Gogu mohon kërcënimet ndaj Veliajt: Nuk dua të besoj se i ka thënë Erioni


Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar pas publikimit të lajmit nga Hashtag.al lidhur me një takim të zhvilluar mes tij dhe Erion Veliajt në burgun e Fierit, mbrëmjen e së premtes, më 30 tetor.

Në reagimin e tij në Instagram, Gogu konfirmon se e ka takuar Veliajn, por mohon kategorikisht mesazhet dhe deklaratat, që i ka përcjellë në emër të kryeministrit Edi Rama.

Gogu në postimin e tij, jep një tjetër version për arsyen e vizitës.

Sipas tij, ai ka shkuar në ushtrim të përgjegjësive si ministër i Drejtësisë, për t’u njohur me kushtet e trajtimit të Veliajt dhe për të dëgjuar ankesat e bëra publike nga avokati i tij.

“Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij. Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë. Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni”, shkruan Gogu.

Ministri mohon se ka shqiptuar mesazhet që i atribuohen atij, duke theksuar se nuk do të kishte asnjë arsye t’i përcillte deklarata të tilla.

“Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj ‘mesazhet’ që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar”, shprehet ai.

Gogu shton se vizita kishte për qëllim të dëgjonte shqetësimet e një personi që, sipas tij, ishte bërë pjesë e një debati të gjerë mediatik lidhur me lirinë dhe të drejtat e tij.

Ai pretendon gjithashtu se rrethanat e takimit janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.

 

Postimi:

Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier.

Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.

Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë.

Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni.

Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.

Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.

Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore.