“Kur shoku i skuadrës të kushton fitoren…”/ Hamilton ‘shpërthen’ ndaj Leclerc, reagon Vasseur: E papranueshme! Mungesë respekti ndaj Ferrarit

02/11/2026 16:23

Tensionet te Ferrari janë rritur ndjeshëm pas Çmimit të Madh të Meksikës, ku një duel mes dy pilotëve të skuadrës, Lewis Hamilton dhe Charles Leclerc, i kushtoi ekipit mundësinë për të fituar garën.

Gjithçka ndodhi që në nisje, kur Leclerc sulmoi Hamiltonin, duke shkaktuar një incident që ndikoi në garën e të dyve.

Piloti nga Monako u ndëshkua me pesë sekonda penalizim, ndërsa britaniku, në përpjekje për t’u mbrojtur, doli jashtë pistës. Kjo situatë i dha mundësinë Max Verstappenit të parakalonte të dy pilotët dhe të merrte kryesimin e garës.

Ferrari mund të kishte siguruar vendin e parë dhe të dytë në një pistë ku parakalimet janë jashtëzakonisht të vështira, por përfundoi me një rezultat shumë larg pritshmërive.

Lewis Hamilton nuk e fshehu zemërimin e tij dhe gjatë garës u ankua disa herë në radio për problemet që po përjetonte. Pas përfundimit të saj, shtatë herë kampioni i botës kritikoi hapur shokun e skuadrës.

“Një duel mes shokëve të skuadrës është i pranueshëm, për sa kohë që nuk e pengon ekipin të arrijë rezultatin më të mirë të mundshëm. Besoj se interesat e skuadrës duhet të jenë gjithmonë të parat. Kam humbur një fitore dhe Ferrari ka humbur pikë të rëndësishme për vendin e dytë në kampionatin e konstruktorëve. Kjo është mungesë respekti ndaj të gjithë njerëzve që punojnë në fabrikë”, deklaroi Hamilton.

Britaniku theksoi se nuk bëhet fjalë për moshën e Leclerc, por për mentalitetin e tij në pistë.

“Ai është 29 vjeç, ndaj nuk besoj se është çështje moshe, por mentaliteti. O fitoj unë, ose nuk fiton askush prej nesh. Nuk duhet të jetë kështu. Në Silverstone mund të kisha bërë të njëjtën gjë, ta nxirrja jashtë piste dhe të humbnim fitoren. Por në atë moment isha i lumtur për skuadrën”, shtoi ai.

Hamilton theksoi gjithashtu se të dy pilotët ishin në pozitat e para në kthesën e katërt dhe se duhej thjesht të ruanin pozicionet.

“Kur shoku i skuadrës punon kundër teje dhe humbet pozicione në atë mënyrë, situata bëhet e vështirë. Do të flasim kokë më kokë dhe do të shohim nëse kjo do të ndryshojë diçka, por sigurisht që diçka duhet të ndryshojë”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Charles Leclerc u përpoq të ulte tensionet, duke pranuar se ndëshkimi i marrë nga komisarët ishte i drejtë.

“Penalizimi ishte qartësisht i merituar. Për të kuptuar nëse duhej të ishte pesë apo dhjetë sekonda, duhet të analizojmë situatën dhe rrethanat lehtësuese. Është e qartë se të dy e morëm kthesën gabim dhe frenuam shumë vonë. Unë nuk mund ta përfundoja kthesën, ndaj dola jashtë piste”, shpjegoi piloti nga Monako.

Leclerc tha se fillimisht kishte synuar t’ia kthente pozicionin Hamiltonit, por ndërhyrja e Verstappenit ndryshoi situatën.

“Fillimisht synimi im ishte t’ia ktheja pozicionin Lewis, por fatkeqësisht Max u fut mes nesh. Pyeta në radio se çfarë duhej të bëja dhe menduam se incidenti nuk ishte aq i qartë sa të më detyronte të kaloja në vendin e tretë. Do ta diskutojmë”, deklaroi ai.

I pakënaqur me atë që ndodhi në pistë ishte edhe drejtuesi i Ferrarit, Frederic Vasseur, i cili nuk i kurseu kritikat për situatën.

“Besoj se kjo është një mungesë e madhe respekti ndaj markës, ndaj të gjithë njerëzve që punojnë në Maranello dhe ndaj përpjekjeve që po bëjmë. Kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara sa i përket performancës dhe të hedhësh poshtë një fitore në këtë mënyrë është e vështirë për t’u pranuar”, deklaroi Vasseur.

Ai theksoi se nuk dëshironte të fajësonte njërin prej pilotëve, por se do të zhvillonte një bisedë me të dy.

“Kur nisesh i pari dhe i treti në Meksikë, në një pistë ku nuk ka pasur parakalime prej 72 vitesh, nuk pret të përfundosh i dyti dhe i katërti”, shtoi drejtuesi i Ferrarit.

Përplasja mes Hamiltonit dhe Leclerc vjen në një moment kur të dy pilotët janë në garë edhe për pozicionin më të mirë në renditjen individuale. Hamilton mban vendin e tretë me 259 pikë, ndërsa Leclerc renditet i pesti me 245 pikë.

Vëmendja tashmë zhvendoset te Çmimi i Madh i Brazilit, ku Ferrari do të ketë mundësinë të reagojë menjëherë në pistë.

Top Channel