Nga buka, bulmeti, frutat-perimet, mishi e deri tek ushqimet për bebe, janë 54 produkte që konsumatorëve shqiptar duhet tu kushtojnë më pak nga janari i 2027-ës, vetëm prej uljes së TVSH-së për ushqimet nga 20% në 6%. Për të garantuar këtë ulje ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se do të ballafaqojnë çmimet me ndihmë edhe të “Pasqyrës së Çmimeve”.
“Monitorimi i tregut, transparenca e çmimeve do të jenë pjesë të rëndësishme të zbatimit të kësaj mase, me qëllim që të sigurohemi që politika e ndërmarrë nga qeveria shqiptare të shkojë realisht në xhepat e çdo qytetari shqiptar. ‘Pasqyra e Çmimeve’ e cila është prezantuar në vjeshtën e këtij vitit synon pikërisht të krijojë një mundësi për krahasimin dhe ndjekjen e këtyre çmimeve duke ofruar më shumë informacion për konsumatorët”, tha Ibrahimaj në Komisionin e Burimeve Natyrore.
Rregulla edhe më strikte paralajmëroi Ibrahimaj edhe për çmimet e fruta-perimeve.
“Një problematikë përveç çmimit të karburanteve, janë dhe çmimet e produkteve të frutave dhe perimeve, të cilat janë më vështirë për tu monitoruar për shkak të ndryshimeve edhe brenda ditës disa herë të çmimeve në disa pika shitje. Besoj që brenda fundit të vitit përpara se këto norma të reja tatimore të hyjnë në fuqi, ne do të kemi një rregullim ligjor më strikt me qëllim që jo vetëm të ketë transparencë për çmimet, por të ketë edhe një kontroll për efektivitetin e politikave që jemi duke zbatuar”, tha Ibrahimaj.
Ndërsa për të garantuar uljen e çmimit të naftës dhe të benzinës pas heqjes së taksës së qarkullimit nga karburanti, mund të mbetet i përhershëm Bordi i Transparencës.
“Me qëllim që të garantojmë që ulja e 27 lekëshit të taksës së qarkullimit që bashkë me TVSH, arrin diku te 32.3 lekë, të reflektohet, po mendojmë të krijojmë një formë transparence permanente për sa i përket çmimit të hidrokarbureve. Mund të jetë e përfshirë në platformën e pasqyrës së çmimeve ose mund të jetë nëpërmjet mekanizmit që ne kemi aktualisht, mekanizmit të Bordit të Transparencës”, tha Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj teksa prezantoi buxhetin e institucionit të saj u ndal edhe tek shpenzimet për pensionet, dhe mbulimin e shpenzimeve për skemën.
“Për financimin e diferencës së skemave të sigurimeve shoqërore në buxhetin e ministrisë në vitin 2027 janë parashikuar 28.1 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2029 kjo transfertë pritet të arrijë në 30.4 miliardë lekë”, tha Ibrahimaj.
Në mbyllje të diskutimeve Komisioni i Burimeve Natyrore miratoi në parim vetëm me votat e mazhorancës projektligjin për “Projektbuxhetin e vitit 2027”.
-
Taksat rriten direkt, ushqimet ulen ngs janari me kismet.
Përgjigju






Komente
Komento