Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që vëmendja e institucioneve të përqendrohet në hartimin e strategjisë që do t’u shërbejë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shkallën e Apelit në Hagë.
Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu bëri të ditur se ka kërkuar seriozitet dhe profesionalizëm në këtë proces.
“Tashmë, Qeveria e Kosovës ka formuar grupin punues për hartimin e strategjisë dhe unë gjithnjë kam kërkuar që e gjithë vëmendja të zhvendoset pikërisht te kjo strategji, e cila duhet të përpilohet në atë mënyrë që t’u shërbejë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shkallën e Apelit.
Kam kërkuar vëmendje, seriozitet dhe profesionalizëm, në mënyrë që vëmendja dhe puna jonë të përqendrohen te kjo strategji. Unë e kam adresuar kthimin e ligjit te Komisioni për Legjislacion, i cili ka katër javë kohë. Unë do ta takoj sot kryetarin e këtij komisioni për të parë qëndrimet”.












