I ftuar në një lidhje Skype në Edicionin e Pasdites në SYRI TV, Nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj, ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një kaos të thellë shoqëror, politik dhe institucional, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se interesi i tij nuk është më qeverisja, por ruajtja e pushtetit dhe sundimi.
Gjekmarkaj u shpreh se protesta e studentëve dhe pedagogëve është shprehje e një zemërate të akumuluar prej 14 vitesh, ndërsa theksoi se Partia Demokratike e ka mbështetur që në fillim këtë lëvizje, pa synuar ta përvetësojë politikisht apo t'i marrë asaj protagonizmin.
Gjekmarkaj theksoi se kriza e sotme buron nga mungesa e përfaqësimit politik, duke nënvizuar se as gjysma e qytetarëve që nuk përfaqësohen nga pushteti dhe as një pjesë e socialistëve që besojnë se përfaqësohen nuk gjejnë realisht zërin e tyre në qeverisje.
Ai akuzoi qeverinë se ka vënë interesat personale të një kaste mbi interesat e vendit, ndërsa e cilësoi dhunimin e votës, shantazhin ndaj qytetarëve dhe presionin mbi vendin e punës e të ardhmen e familjeve si burimin e revoltës shoqërore.
Pjesë nga intervista:
Unë e shoh gjendjen totalisht në kaos. Është një kaos shoqëror, politik, institucional dhe, me shumë gjasë, qeverisë nuk i intereson më. I intereson sundimi dhe pushteti në vetvete.
Ky është një ortek që nuk ka të ndalur. Është një shpërthim popullor, është një zemëratë e akumuluar prej 14 vitesh, vit pas viti, që ka gjetur ndoshta formën më të mirë të shpresës nëpërmjet studentëve, pedagogëve, nëpërmjet kësaj pjese të shoqërisë. Këto janë kauza tashmë të njohura, këto janë kauza që i ka ngritur Partia Demokratike, ka luftuar për to në Parlamentin e Shqipërisë, ka bërë beteja në sheshin e Shqipërisë me votuesit e saj, me anëtarët e saj. Dhe kjo është arsyeja që Partia Demokratike e ka mbështetur që në fillim protestën e studentëve.
E ka mbështetur me çdo mjet, e ka mbështetur sa ka mundur me deputetët e saj, me trupën politike, me trupën ligjore të saj. Është gjendur pranë tyre, jo për t'ua rrëmbyer atyre protestën, jo për ta futur atë në logon politike të Partisë Demokratike, por thjesht për ta mbështetur, sepse ne kemi bindjen që i duhet Shqipërisë. Është emancipuese, është e nevojshme dhe do të bëjmë gjithçka që ajo të ketë sukses.
Po të ishte një vend normal, siç duhet të ishte një vend anëtar i NATO-s dhe një vend aspirant për t'u integruar në Bashkimin Evropian, kryeministri duhet të ishte dorëhequr me aq sa ka ndodhur, sepse një shoqëri nuk mund të bëjë më shumë se kaq. Ka rezistuar për disa muaj në mënyrë paqësore.
Para se të vinin protestat paqësore, kanë qenë protestat e vijueshme të opozitës. Kanë qenë disa procese zgjedhore të kontestuara nga faktori ndërkombëtar dhe opozita në Shqipëri, të cilat i kemi konsideruar zgjedhje farsë dhe fasadë.
Unë mendoj që gjithçka vjen nga mungesa e përfaqësimit. Frustrimi, revolta, rebelimi lindin nga fakti që gjysma e Shqipërisë nuk është e përfaqësuar dhe gjysma tjetër ka iluzionin se është e përfaqësuar, se në fakt nuk është e përfaqësuar as ajo.
Edhe socialistët e ndershëm, ata që kanë votuar Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, praktikisht kanë votuar një kastë që administron pushtetin për interesat e tyre personale dhe jo interesat e Shqipërisë.
Çdo gjë fillon aty ku preket dinjiteti i qytetarëve për të vendosur, për të zgjedhur lirisht, kur u dhunohet vota, kur u bëhet shantazh, kur janë nën kërcënimin me bukën e gojës, për vendin e punës, për të ardhmen e fëmijës, për faktin që fëmijët duhet të ikin në emigracion ose edhe ata bashkë me ta, dhe vendi shkretohet. Këtu fillon çdo gjë. Këtu është ADN-ja.
© SYRI.net