Është konstituuar Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.
Kryetar i komisionit është zgjedhur deputeti Burim Ramadani, i cili u zotua se puna do të bazohet në fakte, dëshmi dhe përgjegjësi konkrete institucionale, e jo në raporte politike. Ndërkaq, nënkryetari Adnan Rrustemi theksoi rëndësinë e një hetimi profesional dhe të detajuar.
Anëtarja e komisionit, Besa Kabashi Ramaj, kërkoi angazhimin e ekspertëve të pavarur, si dhe intervistimin e kryeministrit Albin Kurti, ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Komisioni ka 11 anëtarë dhe mandat maksimal prej gjashtë muajsh. Në mbledhjen e radhës, të premten, anëtarët pritet të prezantojnë planet konkrete të veprimit.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Vetëm tri ditë para vrasjes, ajo u kishte dërguar institucioneve një letër, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
