Nga Sonila Meço - 17:44, 02/11/2026
S’ka asgjë të gabuar mos të duash koalicion me X, Y, Z. Është e drejta e çdo force politike, lëvizjeje, liste, grupimi të zgjedhë aleatët, programin dhe kandidatin e saj. Ama sot nuk po diskutohet aleanca për qeverinë pas zgjedhore, që kërkon përputhje politike, ndërton viza të kuqe, harton kushte edhe sin qua non po deshe për aleatët. Çfarë e ngre zgupthi pushtetin aktual është bashkimi qytetar për të garantuar çlirimin e zgjedhjeve nga kriminalizimi dhe kapja prej partisë-shtet. Dhe ky bashkim kërkon veç një interes demokratik të përbashkët, edhe mes atyre që kurrë nuk do të qeverisnin bashkë.
Beteja për të ndryshuar rregullat e konkurrencës politike nuk mund rë bëhet njëkohshëm me atë për të fituar vetë garën. Janë ‘qitje’ të ndryshme për sa kohë e para kërkon një minimum të përbashkët demokratik, ndërsa e dyta rivalitet, dallime, alternativa, programe, deri përplasje të forta politike.
Nakatosi këto qëllime për t’i realizuar njëkohshëm dhe i ke garantuar Ramës jetëgjatësi. Pse u dashka të njehsohet një front për garantimin e votës së lirë me një koalicion elektoral apo me një qeveri koalicioni? Pse u dashka të heqë dorë një parti a individ nga identiteti i vet politik për të kërkuar të njëjtat garanci demokratike për zgjedhje?
Shoqëria sot e di fare mirë çfarë nuk do dhe ky është qëllimi i ngutshëm.
Sheshi është revoltë, që ka të paktën një kërkesë të përbashkët edhe midis palëve që nuk e honepsin dot njëra-tjetrën, largimin e Ramës dhe rikthimin e votës së lirë.
Akoma nuk e paskemi nxënë pas 14 vitesh autokraci në kufijtë e diktaturës se për ta mbajtur një pushtet në këmbë edhe pa e mbështetur kurrë, mjafton ta shpallësh armik çdo mëngjes dhe t’ia eliminosh kundërshtarët çdo mbrëmje?! Madje, me bindjen solemne dhe heroike se duke bërë këtë po i shërben demokracisë. Çfarë është ky lloj opozitarizmi ku kundërshtari qeveris, ndërsa ti kujdesesh që të mos i mungojë qetësia????
Si mund të harxhohet kësisoj energjia e sheshit, duke nxjerrë dosjen e tjetrit, duke i matur mëkatet, numëruar tradhtitë për të vulosur verdiktin e shenjtërisë politike? Sikur sheshi të ishte parajsa, ku hyrja bëhet vetëm pas gjykimit të fundit?! Me këtë standard, edhe sikur një njeri të vetëm të kish protesta, do të përçahej.
Askush nuk ka pse të falë askënd. As të harrojë, as të heshtë, as të heqë dorë nga e drejta për të gjykuar të shkuarën. Ama bashkimi për të kërkuar një garë të lirë nuk është bashkim për të ndarë pushtetin. Ky dallim është kaq i qartë, sa bëhet dyshuese këmbëngulja për të mos e kuptuar.
Se është aritmetikë dreqi e mori. Dhjetë kundërshtarë që luftojnë njëri-tjetrin nuk bëjnë dot një forcë dhjetë herë më të madhe. Mund të prodhojnë dhjetë beteja, dhjetë seli, dhjetë deklarata historike ama rezultati zgjedhor mbetet i pandryshuar. Kujt i shërben kjo? Veç narkoshtetit të Ramës. Kaq elementare.
Se 2 heqim 1 bëjnë 1: kundërshtimi i bashkimit sot në shesh duke u bërë qëllim më vete, shndërron çdo votim të ardhshëm në një garë për të përcaktuar kush ka të drejtën ekskluzive të humbasë rregullisht ndaj pushtetit për të zënë një vend më të mirë në opozitë.
Ka nga ata që duan të fitojnë zgjedhjet, siç ka edhe nga ata që duan të fitojnë opozitën. Të dyja janë ambicie politike, por vetëm e para kërkon domosdoshmërisht ndryshimin e qeverisë. E dyta mund të shpallet fitore edhe kur gjithçka tjetër mbetet siç ishte me Ramën mbret.
Ironi vrastare për këtë popull, nëse forcat opozitare të pushtetit përfshihen në një luftë të pamëshirshme për vendin e parë në radhën e dytë, duke konsideruar humbjen e përbashkët ‘fitore të parimeve’.
© SYRI.net