Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar në rrjetet sociale pas disa aludimeve se ka takuar në burgun e Fierit Erion Veliajn dhe se i ka kërkuar të lërë mandatin, me porosi të kryeministrit Edi Rama.
Gogu tregon se e ka takuar kryebashkiakun e Tiranës në burgun e Fierit të premten, por bisedimet kanë qenë vetëm për çështjen e tij aktuale, transferimin nga burgu i Durrësit në atë të Fierit dhe për kushtet e trajtimit të tij.
“Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier. Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.
Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë. Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni. Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.
Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme. Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore”, shkruan ministri.
