Buxheti për vitin 2027 parashikon 3.9 miliardë lekë për Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme. Në Komisionin e Jashtëm, ministri i Europës dhe i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, theksoi se prioritet do të jetë mbyllja e kapitujve të integrimit në Bashkimin Europian.
”Ne po punojmë me mendësinë e një anëtari të ardhshëm të BE. Objektivi është përmbushja e detyrimeve të mbetura dhe mbyllja e kapitujve negociues gjatë vitit 2027, forcimi i koordinimit ndërinstitucional dhe sigurimi i mbështetjes së shteteve anëtare, me synim anëtarësimin e plotë Brenda kësaj dekade”, tha Ferit Hoxha. Një tjetër prioritet sipas Hoxhës është digjitalizimi i shërbimeve konsullore përfshi këtu dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.
”Synojmë modernizimin e shërbimeve për qytetarët jashtë vendit, përmirësimin e aksesit online dhe zhvillimin e një asistenti virtual për informacion dhe orientim konsullor, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë”, shtoi ministri i Jashtëm. Hoxha u ndal edhe te Kosova, duke theksuar se do të përdoret çdo mekanizëm për njohjen e saj.
