Kreu i Partisë Mundësia Shehaj i ka bërë thirrje SPAK-ut që të marrë në hetim kryeministrin Rama pas akuzave për shantazh ndaj kryebashkiakut të Tiranës Veliaj.
Shehaj tha se skandali më i fundit tregon edhe njehërë se Rama është kreu i organizatës kriminale dhe se SPAK duhet të tregojë se askush nuk është mbi ligjin.
“Ka plasur keq brenda Partisë Socialiste! Po hanë kokat e tyre. Erion Veliaj sot ka bërë një deklaratë bombë. Ka thënë që jam kërcënuar nga Edi Rama nëpërmjet ministrit të Drejtësisë, në qeli në burg.
Ka pranuar gjithashtu që deri dje, Edi Rama është kujdesur për kushtet e tij në burg, është kujdesur për miqtë e tij dhe për familjarët e tij. Dhe nga sot e tutje e ka kërcënuar Erion Veliajn që nuk do kujdeset më. I ka thënë që do ta kalbë në burg, nëse nuk hesht, nëse nuk pranon kushtet e Edi Ramës. Çfarë duhet të ndodhë më që SPAK-u të marrë nën hetim Edi Ramën? Është e qartë që me këto që po tregon edhe Veliaj, është e qartë që në krye të kësaj organizate kriminale qëndron vetë Edi Rama. Vetë Edi Rama kujdeset për anëtarët e bandës, të cilët kanë përfunduar në burg ose para drejtësisë, dhe i njëjti kujdeset gjithashtu që t’i kërcënojë nëse ndonjëri prej tyre guxon dhe i del kundër Edi Ramës. Ky regjim kriminal po bie nga brenda, po shkërmoqet. Tani, i takon SPAK-ut të tregojë që nuk ekziston asnjë vijë e kuqe, që askush nuk është i paprekshëm, përfshi Edi Ramën.” – u shpreh Shehaj.
Kryebashkiaku Veliaj konfirmoi sot shantazhin në burgun e Fierit nga kryeministri Rama përmes ministrit të Drejtësisë Gogu. Sipas tij, Rama e ka kërcënuar të pranojë se qëndron pas protestës së flamingove, të dorëzojë mandatin dhe ta delegojë atë te Arbër Hajdari si dhe të shkëpousë çdo marrëdhënie me avokatin Plarent Ndreca.
Ministri i Drejtësië Gogu e pranoi sot se ka qenë të premten në mbrëmje në burgun e Fierit, ku Veliaj u transferua me urgjencë së fundmi por hodhi poshtë se e kishte kërcënuar Veliajn në emër të kryeministrit Rama.