Flakët e zjarrit kanë përfshirë këtë të hënë tarracën e një lokali që ndodhet në katin e 11-të të një pallati në Shkodër. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë policia dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë arritur ta izolojnë zjarrin.
Kreu i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci shprehu mirënjohjen për çdo punonjës të shërbimit zjarrfikës, Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake dhe shërbimit shëndetësor për gatishmërinë dhe reagimin e shpejtë ndaj zjarrit në qendër të qytetit.
“Zjarri është izoluar plotësisht, ndërsa institucionet përkatëse po hetojnë për zbardhjen e shkaqeve. Faleminderit të gjithëve që me përkushtim e profesionalizëm, u angazhuan për sigurinë e qytetarëve në ato momente”, shkruan Beci në një postim në rrjetet sociale.
Lokali i ndodhur në tarracë ka qenë i mbyllur prej 2 vitesh. Fatmirësisht, ka vetëm dëme materiale dhe jo persona të lënduar.
