Gjermania dhe Britania e Madhe zgjerojnë bashkëpunimin ushtarak
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius dhe homologu i tij britanik, Wes Streeting synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve edhe në fushën e inteligjencës artificiale (AI). Lajmi u bë i ditur nga Streeting, përpara takimit të planifikuar me Pistorius në Berlin, në orën 15:00, përmes një artikulli të botuar në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
“Përmes testimit, zhvillimit dhe më pas vënies në përdorim të përbashkët të inteligjencës artificiale në forcat tona të armatosura, do të thellojmë bashkëpunimin dhe do të jemi në një hap me ata që synojnë të na dëmtojnë”, shkruan Streeting.
Sipas tij, përfaqësues të qeverive dhe industrisë së mbrojtjes të të dy vendeve do të takohen në pranverën e vitit 2027, me qëllim avancimin e zbatimit të kësaj nisme.
Inteligjenca artificiale po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm edhe në sektorin ushtarak. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka paralajmëruar se tashmë ka nisur një garë armatimi në këtë fushë.
Në artikullin e tij, Streeting thekson se kërcënimet ndaj sigurisë së vendeve evropiane po marrin forma të reja dhe kërkojnë një përgjigje të përbashkët.
“Gatishmëria e kundërshtarëve tanë për të na dëmtuar nuk është e re. E re janë aftësitë që ata kanë në dispozicion. Kjo kërkon një përgjigje nga të gjithë ne në Evropë”, shkruan ai.
Streeting shton se gjithnjë e më shpesh po përballen me terrorizëm të mbështetur nga shtetet, akte sabotazhi dhe veprime armiqësore, shumë prej të cilave, sipas tij, burojnë nga Rusia.
Gjermania dhe Britania e Madhe kishin rënë dakord dy vite më parë për të forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, përmes marrëveshjes së njohur si “Trinity House”. Një vit më vonë, të dyja vendet njoftuan se në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të intensifikonin edhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes kibernetike. Tashmë, kësaj nisme pritet t’i shtohet edhe bashkëpunimi për inteligjencën artificiale.




