Kryeministri i Letonisë, Andris Kulbergs, ka kombinuar detyrën shtetërore me pasionin për shpejtësinë, duke marrë pjesë në garën e fundit automobilistike të sezonit 2026 në vendin e tij. Ai garoi me një “Mitsubishi Lancer Evo VI” dhe arriti të fitonte kategorinë e makinave historike.
Së bashku me bashkëdrejtuesin Andis Veinbergs, Kulbergs mori pjesë për dy ditë në aktivitetin “Rallysprint Latvija”, ku përfundoi me sukses shtatë etapat e garës.
“Garat me makina janë pjesë e imja dhe nuk doja të hiqja dorë nga ky pasion gjatë kohës që jam kryeministër, edhe pse kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë”, u shpreh ai. Kulbergs shtoi se mund të jetë kryeministri i parë në botë që merr pjesë në një garë të këtij lloji.
Pjesëmarrja e tij u bë e mundur pas një marrëveshjeje me autoritetet e sigurisë. Sipas kryeministrit, ai kishte marrë përsipër të sillej me përgjegjësi dhe të drejtonte automjetin në mënyrë të sigurt.
Kulbergs, i cili është në detyrë që prej muajit maj, njihet prej kohësh për pasionin ndaj automobilizmit. Ai zotëron 11 automjete dhe ka marrë pjesë edhe më parë në gara, ndërsa eksperienca e fundit e këtij lloji ishte dy vite më parë.
Për të, politika dhe garat automobilistike kanë ngjashmëri të shumta. Në të dyja fushat, suksesi kërkon bashkëpunim, besim, mirëkuptim dhe aftësi për të arritur marrëveshje.
Ndërkohë, jashtë pistës së garave, Kulbergs po përgatitet të marrë drejtimin e qeverisë së re. Partia e tij e qendrës së djathtë, “Lista e Bashkuar”, shënoi një fitore historike në zgjedhjet parlamentare të 3 tetorit.
Sipas kryeministrit, presidenti Edgars Rinkēvičs pritet t’i japë zyrtarisht mandatin për formimin e kabinetit të ri të mërkurën, një ditë pasi parlamenti i sapozgjedhur të zhvillojë mbledhjen e parë.

