Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet e fundit në përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe pretendimet për një bisedë mes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, dhe këtij të fundit në qeli. Për të nëse pretendimet janë të vërteta, bëhet fjalë për një ngjarje me pasoja të rënda për funksionimin e shtetit shqiptar.
“Si mund të marrësh këtë lloj kurajoje dhe t’i thuash ministrit: shko ti fol me atë, se do kalbet në burg… Pse ai e cakton kush do kalbet në burg?! Domethënë këtu s’ka më shtet, jemi nën arbitraritetin e një njeriu të vetëm”, deklaroi Shehi.
Ai u shpreh se ka rezerva për mundësinë që pretendimet të jenë të pavërteta, duke iu referuar edhe deklaratave të avokatit dhe personave të përfshirë në këtë çështje. “Kam frikë se është e vërtetë. Jo se këto situata s’kanë ndodhur në Shqipëri, kanë ndodhur, por jo kaq hapur”, tha ai.
Duke vijuar kritikën, kreu i LZHK-së e cilësoi të papranueshme përfshirjen e ministrit të Drejtësisë në një komunikim të tillë, duke e krahasuar situatën me periudhat e mëparshme qeverisëse. “Edhe në kohën e Nanos s’e ka çuar ministrin të negociojë, ka çuar ndonjë spiun të vogël”, u shpreh Shehi.
