Gazetari Artan Hoxha ka komentuar takimin e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu me Erion Veliajn në burgun e Fierit, duke e cilësuar atë si një kërcënim mafioz. Sipas Hoxhës, fakti që ministri shkoi në qeli në orën 22:30, jashtë orarit të zakonshëm të vizitave, tregon se situata ishte e jashtëzakonshme.
“Ajo që ndodhi në burgun e Fierit ishte kërcënim mafioz. As Putini nuk e bën atë kërcënim në atë mënyrë. Ministri shkon në burg në orën 22:30. Ka një orar kur hyhet dhe një orar kur nuk hyhet, përveç rasteve të emergjencës. Duket që është një hall i madh dhe në vazhdën e atij kërcënimi tipik mafioz”, u shpreh Hoxha.
Duke komentuar deklaratën e ministrit Gogu, i cili ka mohuar se ka përcjellë mesazhe kërcënuese, Hoxha tha se i beson versionit të Veliajt, duke iu referuar edhe faktit që kryebashkiaku ka qëndruar në burg për 20 muaj dhe ministri e ka vizituar vetëm tani.
Sipas gazetarit, përplasja lidhet edhe me kontrollin e Bashkisë së Tiranës dhe zgjedhjet e ardhshme vendore. Ai pretendoi se Veliaj ka rikthyer ndikimin në bashki që prej mesit të shtatorit, duke larguar persona të vendosur nga Rama, çka sipas tij ka thelluar konfliktin mes tyre.
Në fund, gazetari ngriti pikëpyetje për përgjegjësinë e institucioneve të burgjeve dhe kërkoi të hetohet mënyra se si është organizuar takimi në orët e vona.
