Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar po përgatisin një bashkëpunim të ri në fushën e mbrojtjes, me synimin për të integruar inteligjencën artificiale në forcat e tyre të armatosura duke nisur nga viti 2027. Plani parashikon zhvillimin, testimin dhe përdorimin e përbashkët të teknologjive të reja ushtarake.
Nisma u bë publike përpara takimit në Berlin mes përfaqësuesve të dy vendeve, përfshirë ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius. Në kuadër të bashkëpunimit, palët synojnë të zgjerojnë projektin ekzistues të sigurisë kibernetike “Cyber Lighthouse”, duke përfshirë edhe zgjidhjet e bazuara në inteligjencën artificiale.
Një takim mes përfaqësuesve të qeverive dhe industrive të mbrojtjes të të dy vendeve pritet të zhvillohet në pranverën e vitit 2027. Aty do të diskutohen hapat konkretë për zbatimin e projektit. Deri më tani nuk janë bërë publike as sistemet specifike që do të zhvillohen, as fondet që do të vihen në dispozicion.

