Vajza e Angelina Jolie dhe Brad Pitt merr vendimin e papritur, gjykata miraton kërkesën e saj për heqjen e mbiemrit të të atit

02/11/2026 22:40

Vivienne, vajza 18-vjeçare e aktorëve të njohur Angelina Jolie dhe Brad Pitt, ka hequr zyrtarisht mbiemrin e të atit, pasi Gjykata e Los Angeles ka miratuar kërkesën e saj për ndryshimin ligjor të emrit.

Tashmë, emri i saj ligjor është Vivienne Marceline Jolie, duke lënë pas mbiemrin e dyfishtë Jolie-Pitt.

Sipas dokumenteve gjyqësore, e reja kishte paraqitur kërkesën më 20 korrik, vetëm pak ditë pasi kishte festuar 18-vjetorin e lindjes së bashku me vëllain e saj binjak, Knox. Në kërkesën e saj, Vivienne kishte përmendur arsye personale për këtë vendim, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Megjithatë, përdorimi i mbiemrit Jolie nuk është i ri për të. Që prej vitit 2024, ajo ishte prezantuar publikisht me këtë mbiemër në programin e muzikalit The Outsiders në Broadway, ku kishte bashkëpunuar me të ëmën, Angelina Jolie.

Vivienne nuk është e vetmja nga fëmijët e ish-çiftit që ka vendosur të mos përdorë më mbiemrin e babait. Edhe motra e saj, Zahara, ka ndryshuar emrin në Zahara Marley Jolie, ndërsa Shiloh dhe Maddox kanë hequr gjithashtu mbiemrin Pitt.

Sa i përket Knox, nuk ka ende një konfirmim nëse ai ka nisur procedurat ligjore për ndryshimin e emrit, ndonëse së fundmi është shfaqur publikisht pa mbiemrin e të atit. Ndërkohë, Pax vazhdon të mbajë mbiemrin Pitt.

Vendimi i Vivienne vjen në një periudhë kur marrëdhëniet mes Angelina Jolie dhe Brad Pitt kanë qenë prej vitesh në vëmendjen e mediave, pas ndarjes së tyre dhe betejave të gjata ligjore që kanë shoqëruar ish-çiftin.

Top Channel