Tmerr në futbollin spanjoll, portieri e godet me gju në gjoks dhe sulmuesi pëson arrest kardiak Kapiteni i Uruguait dhe një prej mbrojtësve më të fortë të dekadës së fundit mësoi se vuan nga çrregullimi i deficitit të vëmendjes, pasi mori të njëjtën diagnozë si djali i tij 8-vjeçar. Tashmë, në moshën 31-vjeçare, ka vendosur të rikthehet në bankat e shkollës për të përfunduar studimet që i ndërpreu në adoleshencë.
Të kthesh kokën pas dhe të rishikosh jetën tënde nuk është gjithmonë e lehtë. Ndonjëherë, vetëm atëherë arrin të kuptosh se çfarë të ka munguar gjatë gjithë kësaj kohe. Kjo është pikërisht ajo që po përjeton José María Giménez. Në pamje të parë, është e vështirë të imagjinohet se çfarë mund t’i mungojë një futbollisti të këtij niveli: kapitenit të Uruguait, një prej mbrojtësve më të mirë të 10 viteve të fundit, fitues i kampionateve dhe trofeve europianë, i cili gjatë karrierës ka përfituar mbi 30 milionë euro neto, pa llogaritur sponsorizimet dhe shpërblimet e tjera.
Por përgjigjja është shumë më e thjeshtë nga sa mund të mendohet: një diagnozë.
Giménez ka mësuar së fundmi se vuan nga ADHD, çrregullimi neurozhvillimor i njohur ndryshe si çrregullimi i deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit, i cili ndikon në përqendrimin, kontrollin e impulseve dhe të emocioneve. Zbulimi erdhi në një moment të veçantë, pasi të njëjtën diagnozë mori edhe djali i tij 8-vjeçar. Në një intervistë për Shoqatën e Futbollistëve Uruguaianë, mbrojtësi rrëfeu se ky zbulim ishte si të hiqte një filtër nga jeta e tij. Fillimisht, ai kuptoi shumë më mirë marrëdhënien me të birin. Kur i fliste dhe fëmija nuk reagonte, Giménez mendonte se ishte thjesht mungesë respekti apo interesi.
“Po të flas ty, më trego respekt. Nuk mund të sillesh kështu”, i thoshte ai.
Kur kuptoi arsyen e vërtetë të sjelljes së të birit, emocionet e pushtuan. Qau, sepse për tetë vite me radhë nuk kishte arritur ta kuptonte plotësisht. Madje, vendosi t’i shpjegonte se tashmë kishin diçka të përbashkët: “Je i veçantë, ashtu si babi. Prandaj, çdo mëngjes duhet të marrim një pilulë për t’u përqendruar dhe për të qëndruar të qetë”. Pas këtij momenti, Giménez nisi të rishikonte të gjithë jetën e tij, duke e parë të kaluarën nën një këndvështrim krejt tjetër. Dhe, ashtu siç kishte bërë gjithmonë në fushën e lojës, arriti të zbulonte një mënyrë të pazakontë për të përballuar kundërshtarin.
Në futboll, José María Giménez ka qenë gjithmonë një mbrojtës i veçantë. Aktualisht, ai po kërkon një sfidë të re në karrierën e tij, me një huazim te Deportivo La Coruña dhe mundësi blerjeje, por vitet e para te Atlético Madrid e kthyen në një nga simbolet e filozofisë së Diego Simeones. Me një trup kompakt, fizik të fuqishëm, markim agresiv dhe intuitë të jashtëzakonshme për të lexuar lojën, uruguaiani ishte një makth për sulmuesit më të mirë të botës. Ai nuk mbështetej vetëm te forca fizike, por edhe te aftësia për të parashikuar lëvizjet e kundërshtarëve dhe për t’i nxjerrë ata jashtë ritmit.
Në debutimin me kombëtaren e Uruguait, kur ishte vetëm 18 vjeç, u përball me Kolumbinë dhe veçanërisht me Radamel Falcaon, i cili në atë periudhë konsiderohej një prej sulmuesve më të mirë të botës. Për 90 minuta, Giménez përdori një taktikë të pazakontë: nuk e ofendoi kundërshtarin, por e bombardoi me pyetje të çuditshme.
“Çfarë makine ke?”, “Pse Venezuela, Ekuadori dhe Kolumbia kanë të njëjtat ngjyra në flamur?” apo “Si shkruhet fjala shtator?”.
Pyetjet e vazhdueshme e irrituan Falcaon, i cili humbi qetësinë dhe disa mundësi të mira shënimi. Uruguai fitoi 2-0, ndërsa mbrojtësi i ri kishte zbuluar një mënyrë krejt të veçantë për të neutralizuar një prej sulmuesve më të rrezikshëm. Si futbollist i ri, Giménez nuk hezitonte të përdorte as ndërhyrjet më të guximshme, madje edhe me kokë. Kundërshtarët shpesh nuk arrinin të kuptonin se si do të ndërhynte ai në aksionin e radhës. Me Lionel Messin, megjithatë, përdorte një strategji krejt të kundërt.
Ai e dinte se argjentinasi mund ta kalonte me një prekje të fundit të topit. Për këtë arsye, në vend që të hidhej në ndërhyrje, e shoqëronte lëvizjen e tij, duke mos i dhënë mundësinë të ndiqte rrugën më të lehtë drejt portës dhe duke u dhënë kohë shokëve të skuadrës të pozicionoheshin për të mbyllur pasimet.
Giménez shfrytëzonte çdo mundësi, çdo detaj dhe çdo element të lojës për të fituar duelet. Madje, disa nga këto mënyra i kishte mësuar nga përvoja e tij e parë në futbollin profesionist. Një prej tyre ishte pikërisht taktika e pyetjeve. Atë e kishte mësuar nga Leo Pilipauskas, një mesfushor nga Montevideo, i cili gjatë një goditjeje nga këndi, në ndeshjen e parë të Giménez si profesionist, e quajti “tullac” dhe arriti t’i shpërqendronte vëmendjen në momentin kur ai po përpiqej të shkëputej nga markimi.
Te Atlético Madrid, një tjetër figurë e rëndësishme në formimin e tij ishte Diego Godín, legjenda e mbrojtjes uruguaiane. Godín e mori nën kujdesin e tij, duke i shpjeguar hollësitë e futbollit europian, mënyrën se si vepronin arbitrat, cilët kundërshtarë duhej të respektonte dhe si duhej të përballej me ta. Nxënësi u rrit aq shumë, saqë kur Godín u largua drejt Interit, pas nëntë vitesh te Atlético, ia la Giménezit fanellën me numrin 2.
Marrëdhënia me Diego Simeonen nuk ishte gjithmonë e lehtë. Trajneri argjentinas nuk i kursente kritikat dhe ia thoshte gjërat drejtpërdrejt. Në disa raste, Giménez nuk e përballonte dot situatën dhe kishte menduar edhe largimin nga klubi. Megjithatë, të dy gjenin gjithmonë një mënyrë për të biseduar dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Simeone e konsideronte uruguaianin një lojtar të pazëvendësueshëm në projektin e tij. Madje, në disa raste e aktivizonte edhe në mesfushë, duke i besuar detyra përtej rolit të tij natyral në mbrojtje.
Por zbulimi i ADHD-së, në moshën 31-vjeçare, e bëri Giménez të kuptonte se shumë prej vështirësive që kishte hasur në fëmijëri nuk kishin qenë rastësi. Ai e kishte dashur gjithmonë shkollën dhe studimin, por shpesh konsiderohej një fëmijë i vështirë, sepse nuk arrinte të qëndronte ulur dhe kishte vështirësi në përqendrim. Në të vërtetë, nuk kishte asgjë të gabuar me të. Thjesht, mendja e tij funksiononte ndryshe.
“Nuk kam qenë kurrë në një ekskursion shkollor”
Shkolla ku studionte ishte numri 176, në lagjen San Andrés të Toledos. Kur flet për atë periudhë, Giménez kujton veçanërisht pushimet, tangon dhe mësuesen Mariela, e cila i kishte mësuar edhe të kërcente. Për ta mbajtur të angazhuar gjatë orëve të mësimit, mësuesja kishte gjetur një zgjidhje të veçantë. Krahas detyrave që u jepte të gjithë nxënësve në tabelë, Giménez merrte edhe një grup tjetër ushtrimesh, vetëm për të. Ai përfundonte detyrat e para, dorëzonte fletoren dhe, ndërsa mësuesja i korrigjonte, fillonte menjëherë me të dytat.
Për tre vitet e para ia doli pa probleme të mëdha, pavarësisht hiperaktivitetit në klasë. Vështirësitë nisën në vitin e katërt, kur stërvitjet e pasdites me Danubion u bënë më intensive. Shkolla ndodhej larg stadiumit dhe udhëtimi me autobus kërkonte gati dy orë vajtje dhe po aq kthim. Për të përballuar gjithçka, Giménez duhej të zgjohej në orën 06:00 të mëngjesit dhe shpesh shkonte në shtrat pa ngrënë darkë. Një ditë, kur alarmi ra, ai vendosi ta fikte. Nuk mundej më.
Në moshën 17-vjeçare, futbolli ishte shumë pranë të mos ishte më pjesë e jetës së tij. Familja po përballej me vështirësi ekonomike dhe motra e tij, tre vite më e vogël, kishte mbetur shtatzënë. Familja Giménez nuk kishte shumë të ardhura. Babai i tij, José Enrique, zgjohej çdo mëngjes, hipte në një skuter të vjetër dhe shkonte të shkarkonte arka me verë në magazinën e pasme të një lokali. Me një fëmijë që pritej të vinte në jetë, të ardhurat nuk mjaftonin më. Familja kishte nevojë për një pagë tjetër dhe José María vendosi se duhej të gjente një punë. Kështu, telefonoi agjentin e tij dhe i tha se nuk mund të vazhdonte më të luante futboll.
Përgjigjja e agjentit ishte e menjëhershme. Ai i kërkoi të priste disa orë. Ndodhej në Salto, në anën tjetër të qytetit, la drekën përgjysmë, hipi në një avion privat dhe pak më vonë mbërriti në shtëpinë e familjes Giménez.
Mesazhi i tij ishte i qartë: “Nuk do ta lësh futbollin. Do të të ndihmoj”.
Në atë moment, shkolla kishte dalë tashmë nga planet e tij. Giménez i ndërpreu studimet, por dëshira për të përfunduar shkollën nuk u zhduk kurrë. “Nëse do të kisha pasur mundësi të vazhdoja mësimet, me siguri do ta kisha marrë diplomën”, ka rrëfyer ai. Madje, disa vite më parë, vendosi të kompensonte në njëfarë mënyre atë që kishte humbur. Mori të gjithë familjen dhe vizitoi Plaza Independencia, në qendër të Montevideos, ku ndodhet mauzoleumi i gjeneralit José Artigas, një prej vendeve më të rëndësishme historike të Uruguait.
Bashkëshortja e tij, Regina, e pyeti përse kishte zgjedhur pikërisht atë vend. “Por ky është një nga ato vendet ku shkon me ekskursion shkollor”, i tha ajo. Përgjigjja e Giménez ishte e thjeshtë dhe njëkohësisht domethënëse: “Unë nuk kam qenë kurrë në një ekskursion shkollor”.
“Nuk është kurrë vonë për ta bërë një ëndërr realitet”
Pas diagnostikimit me ADHD, Giménez arriti të lidhë shumë prej pjesëve të enigmës së jetës së tij. Kuptoi se gjërat që për të tjerët mund të ishin të thjeshta, për të kishin kërkuar gjithmonë më shumë përpjekje. Ndoshta pikërisht për këtë arsye, gjithçka që kishte arritur deri më sot kishte një vlerë edhe më të madhe. Tani, për t’i dhënë të birit një shembull konkret se asnjë ëndërr nuk është e pamundur, ka vendosur të rikthehet në shkollë dhe të përfundojë studimet që i ndërpreu më shumë se një dekadë më parë.
Mundësia erdhi nga Shoqata Uruguaiane e Futbollit, e cila organizon programin Bachillerato Trayectos, një nismë që u mundëson futbollistëve të kombinojnë karrierën sportive me arsimimin. Giménez i ndjek mësimet në çdo mënyrë dhe në çdo moment që ka mundësi. Diferenca e orës është një pengesë, pasi programi zhvillohet në Uruguai, ndërsa ai jeton dhe luan në Spanjë. Megjithatë, nuk dëshiron të humbasë asnjë orë mësimi dhe nuk lejon që angazhimet profesionale të bëhen pengesë.
Një episod e tregon më së miri përkushtimin e tij. Një ditë, gjatë orës së spanjishtes, ai ishte i vetmi nxënës që nuk kishte aktivizuar kamerën. Mësuesit ia falën këtë mungesë, pasi në të vërtetë Giménez po e ndiqte mësimin nga autobusi, rrugës drejt Emirates Stadium, ku vetëm pak orë më vonë duhej të luante kundër Arsenalit. Tashmë ai kryen edhe detyrat shtesë që i jepen dhe ka pasur mundësinë të takohet sërish me mësuesen e tij të dikurshme, Marielën, gjatë një udhëtimi në Amerikën e Jugut. Një përqafim pas kaq shumë vitesh, për të cilin të dy kishin shumë arsye.
Kur pyetet për ëndrrën e tij më të madhe, Giménez nuk flet për trofetë që ka fituar tashmë gjatë karrierës. Ai mendon për diplomimin dhe, mbi të gjitha, për ditën kur do të qëndrojë përpara të pranishmëve për të mbajtur një fjalim, ndërsa fëmijët e tij do të jenë ulur në rreshtin e parë.
“Studimi nuk të jep vetëm njohuri. Të jep vullnet dhe kënaqësinë për t’i thënë vetes: Ia dola. Të ndihmon edhe të përmirësohesh në futboll, të marrësh vendime më të mira në fushë. Dhe mund të të vlejë shumë edhe në të ardhmen, sepse nëse gjërat të shkojnë mirë dhe fiton shumë para, duhet të dish edhe si t’i menaxhosh ato”, shprehet mbrojtësi uruguaian. Tashmë, në shtëpinë e tij, përpara se të shkojë për të fjetur, Giménez ka krijuar një rutinë të re. Gjen pak kohë të lirë për të hapur librat dhe për të përsëritur mësimet.
Ndonjëherë, djali i tij e pyet: “Babi, pse nuk shkon të flesh?”.
“Sepse duhet të studioj”, i përgjigjet ai.
“Po ti pse duhet të studiosh? Tashmë je i rritur”.
Dhe përgjigjja e José María Giménez është ndoshta mesazhi më i bukur i gjithë kësaj historie:
“Sepse nuk është kurrë vonë për ta bërë një ëndërr realitet”.
Top Channel