Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konfront/Vrasja individuale – përgjegjësia kolektive

Tahiri-Nuhiu: Në libra vajzat paraqiten të qeta e djemtë luftarakë, kjo krijon steriotipe gjinore

1 o. më parë / 2 nën 2026 21:38
Adelina Tahiri-Nuhiu

Edukatorja Adelina Tahiri-Nuhiu, ka thënë se edukimi duhet të fillojë qysh nga fëmijëria e hershme porse mësimdhënësit duhet të kenë shumë kujdes në fjalët që përdorin në mënyrë që të mos lejohet krijimi i steriotipeve gjinore.

Tahiri-Nuhiu në emisionin “Konfront” në KTV është shprehur se gabimet dhe ndarjet gjinore shfaqen edhe në libra, pasi siç tha – japin mesazhe që vajzat duhet të jenë të qeta e djemt luftarak.

“Edukimi në këtë aspekt dhe kujdesi që të parandalohen steriotipet sidomos gjinore fillon në fëmijëri të hershme, vazhdon edhe në shkollim fillor edhe në atë të mesëm. Është shumë e rëndësishme që mësimdhënësit të kenë kujdes edhe në fjalitë e lehta apo detaje, p.sh kur themi ky aktivitet është për vajza, ky është për djemt, në mënyrë indirekte, në nënvetëdije ti ua jep mundësinë të krijohen këto steriotipet gjinore. Edhe në libra kur i sheh personazhet që përfolen në to dhe mesazhet që jepen, vajzat duhet të jenë të qeta ndërsa djemt luftarak. U krijohet ndjesia e dominimit”, ka thënë Tahiri-Nuhiu.

Ajo është shprehur se prandaj nxënësit duhet të mësojnë shumë herët si të respektojnë dallimet që kanë mes vete sepse ashtu formësohen.

“Një nxënës, një individ nuk mund të mësohet si të ketë respekt për njëri-tjetrin, si të respektohen dallimet që kanë kur është në moshën madhore. Kjo duhet të fillojë shumë më herët, mosha tipike është nga fëmijëria e hershme. Edukimi është si proces që duhet të ndiqet gjatë gjithë jetës dhe ne si të rritur duhet ta gjejmë veten dhe të shohim çka mund të bëjmë më mirë”, ka deklaruar Tahiri-Nuhiu.

Gjoshi: Bashkëpunimi i shkollës me prindërit duhet të thellohet, po injorohet

1 o. më parë / 2 nën 2026 21:19
Ragip Gjoshi

Pedagogu dhe profesori universitar Ragip Gjoshi ka thënë se një nga dimensionet e rëndësishme që reflektohet drejtpërdrejt në formimin emocional të fëmijës është bashkëpunimi i shkollës me prindërit.

“Është segment i rëndësishëm në shkollë që injorohet shpesh. ‘S’po kam kohë’, ‘Jam në punë, jam i zënë’, ‘E di që je mësues i mirë’, ‘E di se e ke fëmijën e mirë’, këto nuk mjaftojnë. Bashkëpunimi duhet të thellohet. Këshillat e prindërve kanë rol të rëndësishëm”, tha Gjoshi në “Konfront” të KTV-së. 

Gjoshi ka thënë se fillimisht marrëdhëniet në familje reflektohen te formimi i fëmijës. 

“Nëse prindi është agresiv, ai agresivitet reflektohet te fëmija. Qëndrimi i mësuesit po ashtu është model. Nëse është i mirë, fëmija ka dëshirë t’i ngjajë mësuesit nga pamja e deri te të folurit dhe sjellja”, tha Gjoshi.

Ai po ashtu tha se çështja tjetër është edhe rrethi. 

“Kur bashkëpunon me prindërit, mësuesi apo kujdestari i klasës, atëherë shtohet komunikimi dhe njohja me rrethanat”, tha Gjoshi. 

Profesori unviersitar po ashtu shtoi se duhet të rregullohet edhe aspekti legjislativ, si ligjet e po ashtu edhe rregulloret në komuna e si dhe ato nëpër shkolla.

Gjoshi po ashtu ka përmendur zhvillimin e hovshëm teknologjik. 

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se revolucioni teknologjik që ka ndodhur, nuk po përballet vetëm Kosova me këto dukuri. S’po them me amnistu krimin në asnjë mënyrë, krimi duhet luftuar e parandaluar. Por, revolucioni na ka gjetur papërgatitur, shto mungesën e përvojës e faktin se mbajtëm 10 vjet arsimin gjallë. Ka qenë bombë atomike për armikun, por aspektin e cilësisë kemi çaluar”, tha Gjoshi. 

Gjoshi insistoi se duhet të ketë shtim buxheti për të angazhuar në shkolla më tepër pedagogë, psikologë e punëtorë socialë, për t’i ndalë në ndihmë mësimdhënësve. 

Ndërkohë ai ka thënë se duhet të ketë edhe llogaridhënie. E shtoi se element shumë i rëndësishëm është menaxheri i shkollës. 

“Duhet kushtuar rëndësi të madhe emërimit të drejtorit të shkollës. Ai të jetë pasqyrë, të jetë më i miri”, tha Gjoshi. 
 

Ahmeti: S’mjafton të kemi tekste të mira shkollore kur mësimdhënësi thotë “djemtë nuk qajnë”

2 o. më parë / 2 nën 2026 20:55
Agon Ahmeti

Agon Ahmeti, themelues i organizatës “Etea” ka renditur disa specifika të cilat konsiderohen si modele të këqija që fëmijët i marrin në shkolla por që kanë ndikim tutje në edukimin dhe formimin e tyre.

Ahmeti në emisionin “Konfront” në KTV është shprehur se nuk mjaftojnë vetëm librat apo tekstet me përmbajtje të mira nëse mësimdhënësi ndonjëherë në klasë thotë se djemtë nuk qajnë. 

Sipas Ahmetit këto shprehje krijojnë pozicione dhe ndarje në baza gjinore brenda ambientit shkollor.

“Kurrikula e fshehtë që njihet mes nesh që është sjellja dhe modeli që vjen kryesisht nga mësimdhënësi. Sado ofroji tekstet me përmbajtje të mirë nëse një mësimdhënës brenda një klase thotë: ah djemtë nuk qajnë. Mjafton kjo fjalë dhe ky është ai modeli që fëmija e përjeton dhe përcepton dhe menjëherë krijohen raportet dhe pozicionet gjinore brenda klasës. Krahas kësaj janë edhe rolet që ndahen në klasë se kush e fshinë tabelën, çfarë roli kanë vajzat në klasë, a përfshihen djemtë në pjesën e higjienës brenda klasës. Pra fëmija mëson nga ajo që sheh”, ka thënë Ahmeti.

Tutje Ahmeti ka thënë se sfidë është edhe numri i vogël i psikologëve, ku llogaritet se një psikolog është për 1 mijë e 200 nxënës dhe shto faktin që jo të gjitha shkollat kanë.

“Raporti psikolog-nxënës sot në Kosovë është 1/1200, pra një psikolog e kemi për 1 mijë e 200 nxënës në Kosovë. Nuk kanë të gjitha shkollat por edhe ato që i kanë, zakonisht i kanë me gjysmë orari. Pra, një psikolog i duhet të vizitojë dy deri në tri shkolla për t’i ofruar shërbimet e veta. Puna e tij është shumë sporadike dhe vështirë ta përcjellë sistematikisht procesin me një nxënës apo më shumë brenda një institucioni përderisa i duhet të lëvizë në disa shkolla brenda një dite”, ka deklaruar Ahmeti.

Potera: Në shumicën e rasteve, baballarët janë ata që shkaktojnë dhunën në familje

2 o. më parë / 2 nën 2026 20:53
Ismet Potera

Pedagogu Ismet Potera ka thënë se në një hulumtim të bërë para tre vjetëve nga Instituti Pedagogjik, ku ishin qindra nxënës subjekt hulumtimi, doli se në familje paraqiten aspekte të ndryshme dhune që nuk deklarohen fare. Ai ka thënë se në hulumtim është konstatuar po ashtu se në shumicën e rasteve janë baballarët ata që shkaktojnë dhunë. 

“...në shumicën e rasteve janë baballarët ata që shkaktojnë dhunë. Janë faktori që shkakton dhunë në familje, pastaj prishet balanci. Po ashtu kemi një element tjetër, që s’e kemi hulumtuar fare, por tjerët e kanë bërë. Faktori se sa ndikon një ambient me elemente të dhunshme në shkaktimin e këtij karakteri të dhunës. Sa ndikon në shtimin e agresivitetit te femijët te të rinjtë...Ata nuk mund të dalin ndryshe kur çdo ditë ballafaqohen me këto, duke nisur nga familja. Dëgjojnë këto përlarje, e po ashtu shohin në media të pakontrolluara raste të dhunës”, tha Potera në “Konfront” të KTV-së. 

Por, Potera ka thënë se fenomenin e dhunës e sheh në aspekt edhe më të thellë. Ai thotë se baza mund të jetë te kërcimet e shpejta që janë bërë në zhvillimin shoqëror dhe ndryshimet e bëra në shoqërinë kosovare. 

“Ndoshta na ka zënë papërgatitur me disa zhvillime që po përjetojmë tash...Kemi bërë kërcime shumë të mëdha. Nuk kemi shkuar në atë zhvillimin që kanë kaluar vendet tjera”, tha ai.