Nga av. Florian Bonjaku *
Masa e sigurimit “Arrest në burg” dhe dënimi me burgim kanë një pasojë të përbashkët- heqjen e lirisë-, pavarësisht se juridikisht janë dy institute që qëndrojnë mbi themele krejt të ndryshme.
Dënimi është pasojë e fajësisë së provuar. Masa e sigurimit “Arrest në burg” zbatohet, kur fajësia ende nuk është provuar dhe kur personi vazhdon të mbrohet nga prezumimi i pafajësisë.
Neni 4 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se “i pandehuri prezumohet i pafajshëm gjersa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë”. Ndërsa neni 5 i po këtij Kodi lejon kufizimin e lirisë me masa sigurimi vetëm “në rastet dhe mënyrat e përcaktuara me ligj”.
Ky dallim shpjegon përse masa e sigurimit “Arrest në burg” nuk mund të funksionojë si një lloj dënimi paraprak. Ajo nuk justifikohet nga bindja se i pandehuri është fajtor dhe as nga rëndësia abstrakte e akuzës.
Baza e saj juridike është nevoja e sigurimit të procesit dhe kjo nevojë duhet të ekzistojë, jo vetëm ditën kur masa caktohet, por gjatë gjithë kohës që ajo vazhdon.
Kodi Procedurës Penale e ndërton me kujdes këtë logjikë. Neni 228 i tij kërkon fillimisht “një dyshim të arsyeshëm, të bazuar në prova”, por nuk ndalet aty. Për caktimin e masës së sigurimit, duhet të ekzistojë edhe një nga nevojat konkrete të sigurimit të përcaktuara në pikën 3: rreziku për marrjen ose vërtetësinë e provës, rreziku i largimit ose rreziku i kryerjes së krimeve të tjera në kushtet e parashikuara nga ligji.
Neni 229 i Kodit të Procedurës Penale kërkon përshtatshmërinë e masës me nevojën konkrete dhe proporcionalitetin e saj me rëndësinë e faktit dhe sanksionin e pritshëm.
Ndërsa neni 230/1 i Kodit të Procedurës Penale e vendos masën e sigurimit “arrest në burg” në fund të shkallës së ndërhyrjeve, duke përcaktuar se ajo “mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme”.
Edhe mënyra si duhet arsyetuar nga Gjykata vendimi për caktimin e kësaj mase sigurimi tregon të njëjtën filozofi. Neni 245 i Kodit të Procedurës Penale kërkon, me pasojë pavlefshmërie, jo vetëm “shkaqet e posaçme dhe të dhënat që përligjin masën”, por edhe arsyet pse nuk pranohen pretendimet e mbrojtjes dhe, kur caktohet arresti në shtëpi ose arresti në burg, arsyetimin e papërshtatshmërisë së masave të tjera.
Pra, në sistemin e Kodit, masa e sigurimit “arrest në burg” nuk mbahet në fuqi nga një premisë e vetme. Duhet të vazhdojnë të bashkëjetojnë dyshimi i arsyeshëm, nevoja konkrete e sigurimit, proporcionaliteti dhe pamjaftueshmëria e një mase më të lehtë.
Diferenca mes “arrestit” dhe dënimit
Këtu qëndron edhe ndryshimi më i rëndësishëm ndërmjet masës së sigurimit dhe dënimit. Një vendim dënimi nuk duhet të rivendoset herë pas here për të verifikuar nëse fajësia vazhdon të ekzistojë.
Masa e sigurimit, përkundrazi, mbështetet mbi rrethana që janë të ndryshueshme nga natyra. Një rrezik për provën mund të jetë real në ditët e para të hetimit dhe të zhduket pasi dëshmitarët janë pyetur, dokumentet janë sekuestruar apo është kryer ekspertimi. Edhe rreziku i ikjes ose përsëritjes së veprës duhet të mbetet aktual dhe jo thjesht të përsëritet sepse është konstatuar në vendimin fillestar.
Pikërisht, për këtë arsye, neni 260/1 Kodit të Procedurës Penale urdhëron që masat “revokohen menjëherë” kur del se mungojnë kushtet dhe kriteret e zbatimit të tyre”, ndërsa pika 2 kërkon zëvendësimin e tyre me masa më të lehta kur nevojat e sigurimit zbuten ose masa nuk i përgjigjet më rëndësisë së faktit apo dënimit që mundi të caktohet. Neni nuk thotë se masa revokohet vetëm kur mbrojtja arrin të provojë se kushtet kanë ndryshuar. Ai e lidh vazhdimin e saj me ekzistencën objektive dhe aktuale të këtyre kushteve.
Por pikërisht këtu lind një problem praktik. Gjatë hetimeve paraprake, gjykata që ka caktuar masën nuk ndjek çdo ditë zhvillimin e fashikullit. Prokurori kryen dhe drejton hetimet. Ai di se cilët persona janë pyetur, cilat prova janë marrë, çfarë ka rezultuar nga ekspertimet dhe cilat veprime mbeten për t’u kryer. Gjykata, nëse nuk vihet përsëri në kontakt me këto zhvillime, rrezikon të mbetet me fotografinë e çështjes që kishte përpara në momentin kur caktoi masën.
Mund të thuhet se për këtë ekziston neni 260 i Kodit të Procedurës Penale dhe se i pandehuri ose mbrojtësi mund të kërkojnë në çdo kohë revokimin ose zëvendësimin e masës. Kjo është e vërtetë. Por është vetëm gjysma e përgjigjes.
Sepse ligjvënësi shqiptar, me sa duket, me vetëdije, nuk ia ka lënë kontrollin e lirisë vetëm iniciativës së personit të arrestuar dhe mbrojtësit të tij.
Dhe këtu gjendet rëndësia e vërtetë e nenit 246, pika 6 të Kodit të Procedurës Penale.
Liria në “vullnetin” e avokatit?
Një person që ndodhet nën masën e sigurimit “arrest në burg” nuk është në të njëjtën pozitë me një palë të lirë që mund të ndjekë çdo zhvillim të procedurës. Mundësia e tij për të njohur ritmin dhe përmbajtjen e hetimit është objektivisht e kufizuar.
Neni 6 i Kodit të Procedurës Penale i garanton atij mbrojtjen dhe i ngarkon mbrojtësit detyrën të ndihmojë të pandehurin në garantimin e të drejtave procedurale. Por cilësia e mbrojtjes nuk është gjithmonë e njëjtë.
Mbrojtësi mund të jetë shumë aktiv, mund të ndjekë çdo zhvillim te hetimeve praraprake, çdo afat dhe të paraqesë menjëherë kërkesë sipas nenit 260 të Kodit të Procedurës Penale. Por, mund edhe të mos e bëjë.
Një rend procedural serioz nuk mund të pranojë që intensiteti i kontrollit mbi vazhdimin e paraburgimit të varet vetëm nga fakti nëse personi ka pasur fatin të ketë një mbrojtës më shumë apo më pak diligjent. Liria personale është një e drejtë tepër e rëndësishme për t’u kontrolluar vetëm kur dikush kujtohet ta kërkojë.
Për këtë arsye Kodi Procedures Penale ka ngritur një garanci tjetër, të pavarur nga iniciativa e mbrojtjes.
Kështu neni 246/6 i Kodit të Procedurës Penale përcakton:
“Çdo dy muaj nga zbatimi i vendimit të arrestit, prokurori informon me shkrim gjykatën që ka caktuar masën mbi hetimet e kryera dhe nevojat e sigurimit.”
Dispozita shkon më tej. Informacioni duhet të përmbajë të dhëna për gjendjen e procedimit, pyetjen e të pandehurit dhe personave të tjerë, përshkrimin e të dhënave të marra dhe të shoqërohet me kopje të akteve të fashikullit.
Ky nuk është një raport burokratik. Nëse do të ishte i tillë, nuk do të kishte arsye të shoqërohej me aktet e hetimit dhe me të dhëna mbi zhvillimet konkrete të procedimit. Qëllimi i tij është tjetër: t’i japë gjykatës, në mënyrë periodike, informacionin që i duhet për të verifikuar nëse ajo që ishte e vërtetë kur masa e sigurimit “arrest në burg” u caktua vazhdon të jetë e vërtetë edhe dy muaj më pas.
Në këtë kuptim, neni 246/6 i Kodit të Procedurës Penale është hallka që lidh tri momente të së njëjtës logjikë. Nenet 228, 229 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale tregojnë kur masa e sigurimit “arrest ne burg” mund të caktohet. Neni 260 i Kodit të Procedurës Penale tregon se ajo duhet të revokohet ose të zbutet kur kushtet ndryshojnë. Neni 246/6 i Kodit të Procedurës Penale krijon informacionin periodik që duhet t’i mundësojë gjykatës të kuptojë nëse ky ndryshim ka ndodhur.
Detyrimi i prokurorit
Ligjvënësi madje ka menduar edhe rastin kur prokurori nuk e përmbush detyrimin e informimit. Neni vazhdon, duke përcaktuar se, kur prokurori nuk informon brenda afatit, “gjykata verifikon nevojat e sigurimit me kërkesë të të pandehurit ose kryesisht” dhe, pasi dëgjon palët, vendos vazhdimin, zëvendësimin ose revokimin e masës. Neni 260/4 i Kodit të Procedurës Penale e përforcon këtë rregull duke e përmendur shprehimisht rastin e paragrafit 6 të nenit 246 ndër situatat kur gjykata mund të vendosë kryesisht.
Pra, arkitektura e normës juridike është e kuptueshme. Edhe kur mbrojtja nuk paraqet kërkesë, kontrolli nuk duhet të humbasë. Prokurori duhet të raportojë. Edhe kur prokurori nuk raporton, gjykata duhet të verifikojë.
Në këtë pikë, në planin teorik, neni 246/6 i Kodit të Procedurës Penale është një dispozitë shumë e mirë. Por, problemi fillon te zbatimi i tij në praktikë.
Në praktikën e çështjeve me persona me masë sigurimi “arrest ne burg” haset jo rrallë mosrespektimi i detyrimit dymujor të informimit nga prokurori. Informacioni nuk paraqitet rregullisht, ndërsa masa vazhdon të zbatohet. Problemi bëhet më i dukshëm pikërisht sepse shkelja e këtij detyrimi nuk është lidhur në Kod me një pasojë procedurale të qartë.
Dhe këtu shfaqet dobësia e vërtetë e normës.
Paradoksi
Ligji thotë se prokurori duhet të informojë. Neni 2 i Kodit përcakton se dispozitat procedurale janë të detyrueshme për subjektet e procedimit dhe organet shtetërore. Megjithatë, nëse informacioni nuk paraqitet, masa nuk shuhet, nuk pezullohet dhe as nuk ekziston një afat brenda të cilit gjykata është e detyruar të aktivizohet.
Formulimi se gjykata “verifikon” nevojat e sigurimit kryesisht është në drejtimin e duhur, por i paplotë. Kodi nuk thotë kush e evidenton mbarimin e afatit dymujor, kur duhet të caktohet seanca dhe çfarë ndodh nëse prokurori nuk e paraqet informacionin as pasi detyrimi është shkelur.
Kështu prodhohet një rezultat paradoksal. Neni është ndërtuar pikërisht që kontrolli i lirisë të mos varet vetëm nga diligjenca e të pandehurit dhe e avokatit. Por kur prokurori nuk e zbaton detyrimin dhe gjykata nuk aktivizohet vetë, i pandehuri detyrohet sërish t’i drejtohet gjykatës nëpërmjet mbrojtësit për t’i kërkuar zbatimin e dispozitës që ishte menduar të funksiononte edhe pa kërkesën e tij.
Norma, pra, kthehet në pikën që kishte synuar të kapërcente.
Edhe standardi i nenit 5 të Konventës Evropiane e bën këtë problem më serioz. GjEDNJ nuk kërkon që çdo sistem kombëtar të ketë pikërisht mekanizmin dymujor të Kodit shqiptar, por kërkon që vazhdimi i paraburgimit të ketë në çdo moment arsye relevante dhe të mjaftueshme.
Në ceshtjen “Buzadji kundër Republikës së Moldavisë”, Dhoma e Madhe theksoi se ky detyrim ekziston që nga vendimi i parë i paraburgimit dhe nuk mund të përmbushet me arsye stereotipike ose abstrakte. Në çështjen “Letellier kundër Francës”, GjEDNJ e lidhi vazhdimin e paraburgimit me ekzistencën e vazhdueshme të arsyeve që realisht justifikojnë privimin nga liria.
Nëse ky është standardi, atëherë informacioni i nenit 246/6 të Kodit të Procedurës Penale ka një funksion substancial: ai duhet të furnizojë gjykatën me materialin që i lejon të kontrollojë aktualitetin e nevojës së sigurimit. Mosparaqitja e tij nuk mund të trajtohet njësoj sikur të ishte harruar një shkresë e zakonshme administrative.
Pyetja është se çfarë pasoje duhet t’i lidhë ligji kësaj shkeljeje?
Në vlerësimin tim, nuk është zgjidhje e mirë që masa e sigurimit “arrest në burg” të shuhet automatikisht në minutën kur plotësohen dy muajt. Një mosveprim i prokurorit nuk duhet t’ia heqë gjykatës mundësinë të kontrollojë nëse ekziston ende, për shembull, një rrezik serioz ikjeje ose ndikimi mbi prova. Kjo do ta kthente një garanci për lirinë në një automatizëm procedural që mund të mos marrë parasysh rrethanat e çështjes.
Por, është po aq e papranueshme që mosrespektimi i afatit të mos ketë asnjë pasojë. Zgjidhja duhet të jetë më e thjeshtë.
Një “variant” zgjidhjeje
Kalimi i afatit dymujor pa paraqitjen e informacionit duhet ta vërë detyrimisht dhe automatikisht gjykatën në lëvizje. Jo “me kërkesë të të pandehurit ose kryesisht”, si një mundësi alternative. Kryesisht, sepse pikërisht për këtë rast është krijuar garancia.
Gjykata duhet të caktojë brenda pesë ditëve seancën për verifikimin e kushteve të masës. Afati pesëditor nuk do të ishte një shpikje e huaj për sistemin, sepse neni 260/4 i Kodit të Procedurës Penale përdor pikërisht pesë ditë për shqyrtimin e kërkesës për revokim ose zëvendësim.
Në këtë seancë prokurori duhet të paraqesë informacionin dhe aktet që duhej të ishin depozituar sipas nenit 246/6 të Kodit të Procedurës Penale. Nëse i paraqet, gjykata kontrollon në themel nëse nevojat vazhdojnë dhe vendos sipas nenit 260 të Kodit të Procedurës Penale.
Nëse, edhe pas kësaj, prokurori nuk paraqet informacionin dhe aktet, atëherë arresti nuk duhet të konfirmohet thjesht mbi bazën e vendimit të vjetër. Në mungesë të materialit aktual që ligji vetë ia ka ngarkuar prokurorit ta paraqesë, gjykata duhet ta revokojë masën ose ta zëvendësojë me një masë më të lehtë.
Kjo është pasoja që i jep kuptim detyrimit pa e kthyer atë në një shuarje automatike të verbër.
Rregulli mund të formulohej, në thelb, kështu:
“Kur prokurori nuk paraqet informacionin brenda afatit të parashikuar në pikën 6, gjykata procedon detyrimisht kryesisht dhe cakton seancën për verifikimin e nevojave të sigurimit brenda pesë ditëve. Prokurori paraqet përpara seancës informacionin dhe aktet e parashikuara në këtë dispozitë. Kur informacioni dhe aktet nuk paraqiten as në këtë fazë, gjykata revokon masën e arrestit ose e zëvendëson atë me një masë më të lehtë.”
Ky ndryshim do të kishte edhe një efekt të dytë të rëndësishëm. Ai do ta bënte të panevojshme që mbrojtësi të paraqesë një kërkesë vetëm për t’i kujtuar sistemit se afati i kontrollit ka kaluar. Mbrojtja do të mbetej, natyrisht, e lirë të kërkojë revokimin në çdo moment sipas nenit 260 të Kodit të Procedurës Penale, por nuk do të mbante mbi vete barrën e aktivizimit të kontrollit dymujor.
Kjo është, në fund të fundit, edhe arsyeja pse neni 246/6 i Kodit të Procedurës Penale ekziston.
Nëse gjithçka do t’i lihej kërkesës së mbrojtjes, dispozita do të ishte pothuajse e panevojshme. Neni 260 i Kodit të Procedurës Penale do të mjaftonte.
Fakti që ligjvënësi ka krijuar një detyrim të veçantë çdo dy muaj tregon se ka dashur diçka më shumë: një kontroll të lirisë që të mos varet vetëm nga aftësia, iniciativa ose kujdesi i atij që ndodhet në burg dhe i avokatit që e përfaqëson.
Prandaj problemi i nenit 246/6 i Kodit të Procedurës Penale nuk është se ai është konceptuar keq. Përkundrazi, ai është konceptuar mbi një ide të drejtë dhe të rëndësishme.
Problemi është se ligjvënësi e ka ndërtuar garancinë deri në gjysmën e fundit të saj dhe është ndalur pikërisht aty ku një garanci bëhet realisht e detyrueshme: te pasoja e mosrespektimit.
Një detyrim procedural pa pasojë mund të mbetet në letër.
Neni 246/6 i Kodit të Procedurës Penale nuk ka nevojë të krijohet nga e para. Ka nevojë vetëm të përfundohet.
Ligji e ka bërë tashmë zgjedhjen e vështirë: ka vendosur që kontrolli i vazhdimit të arrestit nuk është vetëm çështje e iniciativës së mbrojtjes. Tani duhet të bëjë edhe zgjedhjen e dytë, më të thjeshtë: të sigurojë që ky kontroll të ndodhë vërtet.
* Material i përgatitur për “Boldnews.al













