Qytetarët amerikanë me të drejtë vote janë thirrur sot t’iu drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e mesit të mandatit. Ato do të përcaktojnë balancat politike në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe ndikimin e presidentit Donald Trump në pjesën e mbetur të mandatit.
Në këto zgjedhje votohet për të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa në Senat janë në garë 35 nga 100 vendet. Rezultati pritet të përcaktojë nëse republikanët do të ruajnë kontrollin e Kongresit apo demokratët do të arrijnë të marrin shumicën.
Në orët e fundit të fushatës, kandidatët demokratë kanë intensifikuar përpjekjet për të fituar mbështetjen e votuesve në disa shtete ku garat konsiderohen veçanërisht konkurruese.
Trump u përfshi në orët e fundit të fushatës, duke iu bërë thirrje mbështetësve të tij, të dalin masivisht në votime. Në një intervistë për Fox News, presidenti deklaroi se republikanët mund të fitojnë me shumicë dërrmuese nëse elektorati i tyre merr pjesë në zgjedhje. Këto janë votime që konsiderohen “vendimtare” për të ardhmen politike të administratës Trump, pasi kontrolli i Kongresit do të ndikojë direkt në miratimin e ligjeve dhe zbatimin e agjendës presidenciale.