Një ngjarje e rëndë ka tronditur Indinë, ku një burrë 30-vjeçar akuzohet për abuzimin seksual dhe mbytjen e një vajze vetëm tre vjeçe. Edhe më tronditës është fakti se, pas krimit, ai dyshohet se është bashkuar me familjarët dhe banorët e fshatit në kërkimet për gjetjen e vogëlushes.
Ngjarja ndodhi në një fshat në distriktin Hamirpur, në shtetin Uttar Pradesh. Sipas policisë, i dyshuari e mori vajzën ndërsa ajo po luante pranë shtëpisë së tij dhe e çoi në një fushë aty pranë. Trupi i saj u gjet të dielën në mbrëmje, më 1 nëntor, në një zonë rurale, me shenja mbytjeje.
Hetuesit dyshojnë se 30-vjeçari u përpoq të fshihte gjurmët e krimit, duke u larguar fillimisht nga zona dhe më pas duke u kthyer për t’iu bashkuar kërkimeve së bashku me familjen e viktimës.
Pas zbulimit të trupit, situata u tensionua kur policia tentoi ta transportonte atë për autopsi. Sipas mediave indiane, banorët formuan një bllokadë për të penguar largimin e trupit, ndërsa disa prej tyre hodhën gurë në drejtim të automjeteve të policisë. Gjatë përleshjeve u dëmtuan gjashtë automjete, përfshirë ato të drejtuesve të lartë të policisë. Situata u vu nën kontroll vetëm pas mbërritjes së përforcimeve.
I dyshuari u arrestua, por gjatë shoqërimit të tij ndodhi një tjetër incident. Sipas policisë, ai tentoi t’u shpëtonte efektivëve dhe dyshohet se nxori një armë të improvizuar, duke hapur zjarr ndaj tyre. Oficerët iu kundërpërgjigjën, duke e plagosur në këmbë.
30-vjeçari u dërgua në spital nën masa të rrepta sigurie. Autoritetet kanë shtuar kontrollet në zonë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Hetimet po vijojnë në bazë të ligjit indian për mbrojtjen e të miturve nga krimet seksuale.