Mbi 53 milionë amerikan votuan më herët në zgjedhjet e mesit të mandatit të këtij viti, ku është regjistruar rritja më e madhe? Një fëmijë ka humbur jetën nga fruthi në shtetin e Nju Jorkut, duke shënuar viktimën e parë nga kjo sëmundje në shtet në 30 vitet e fundit. Lajmi u konfirmua të hënën nga autoritetet lokale.
Fëmija ishte nga Qarku Lewis, pranë kufirit me Kanadanë, ndërsa vdekja e tij ka rikthyer shqetësimin për përhapjen e fruthit në Shtetet e Bashkuara.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, shprehu keqardhjen për humbjen e jetës së fëmijës, duke e cilësuar ngjarjen si një kujtesë tronditëse të rrezikut që paraqesin sëmundjet e parandalueshme përmes vaksinimit.
Në vitin 2000, autoritetet amerikane shpallën eliminimin e fruthit në vend, falë programeve të vaksinimit. Megjithatë, vitet e fundit sëmundja është rishfaqur, e nxitur nga rënia e normave të vaksinimit dhe rritja e mosbesimit ndaj institucioneve shëndetësore.
Që nga fillimi i këtij viti, në SHBA janë konfirmuar 4,834 raste me fruth. Në muajin tetor, në shtetin e Nju Jorkut u shpall gjendja e jashtëzakonshme për shkak të rritjes së rasteve.
Rikthimi i sëmundjes ka nxitur gjithashtu debate për politikat shëndetësore të administratës së Presidentit Donald Trump dhe qëndrimet ndaj vaksinimit të Sekretarit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr.
Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse, e cila shkakton temperaturë të lartë, probleme me frymëmarrjen dhe skuqje të lëkurës. Në rastet më të rënda mund të çojë në komplikacione serioze, si pneumonia dhe inflamacioni i trurit, të cilat mund të shkaktojnë pasoja afatgjata ose edhe vdekje.
Përpara zbulimit të vaksinës në fillim të viteve 1960, fruthi shkaktonte vdekjen e qindra fëmijëve çdo vit në Shtetet e Bashkuara. Sëmundja vijon të shkaktojë dhjetëra mijëra viktima në mbarë botën.
Top Channel