Një stuhi e fuqishme përfshiu qytetin e Maringas, në jug të Brazilit, herët të hënën, duke rrëzuar pemë dhe shtylla elektrike, duke bllokuar trafikun dhe duke lënë mijëra prona pa energji elektrike.

Sipas Sistemit të Teknologjisë dhe Monitorimit Mjedisor të Paranës (Simepar), shpejtësia e erës arriti në 81 kilometra në orë, ndërsa sasia e reshjeve të shiut, nga mesnata deri në orën 06:15 të mëngjesit, ishte 39,8 milimetra.


Sipas kompanisë energjetike të Paranës, "Copel", më shumë se 82.200 njësi konsumatore mbetën pa energji elektrike të hënën në mëngjes, çka preku rreth 34 për qind të qytetit të Maringas.

Pemët e rrëzuara bllokuan rrugët, dëmtuan automjetet e parkuara dhe goditën murin e një kishe.

Stuhia shkaktoi dëme edhe në ndërtesa, çati, semaforë dhe një pikë karburanti. Mes objekteve të prekura ishte edhe selia e shërbimit zjarrfikës të qytetit.

Sipas mediave lokale, kryetari i bashkisë së Maringas, Silvio Barros, shpalli gjendjen e fatkeqësisë publike për të përshpejtuar masat e emergjencës dhe ndihmën për banorët e prekur.

Ekipet e infrastrukturës bashkiake, të mirëmbajtjes urbane dhe të mbrojtjes civile u angazhuan për të hequr pemët e rrëzuara, për të pastruar rrugët dhe për të vlerësuar dëmet.

Autoritetet u bënë thirrje banorëve që të qëndrojnë larg pemëve të rrëzuara dhe linjave elektrike të dëmtuara, për shkak të rrezikut të goditjeve elektrike.

Stuhia preku edhe bashki të tjera në shtetin e Paranës, ku u dëmtuan shtëpi dhe u ndërpre furnizimi me energji elektrike.

Autoritetet vazhduan vlerësimin e dëmeve dhe koordinimin e operacioneve për rimëkëmbjen. /Telegrafi/