Detaje tronditëse janë zbardhur nga rrëzimi i avionit privat Learjet 60 në Floridën Jugore, ku humbën jetën të nëntë personat që ndodheshin në bord. Përplasja ndodhi të dielën, më 1 nëntor, në një zonë banimi, ndërsa avioni shpërtheu në flakë pas goditjes në tokë. Avioni po udhëtonte nga Teksasi drejt Bahamas, me shtatë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit. Mes viktimave ishin Adam Robinson, 45 vjeç, bashkëshortja e tij Helen Sharp, 40 vjeçe, dy fëmijët e tyre të vegjël, Emma, 2 vjeçe, dhe Charlie, 4 vjeç, si dhe dadoja e familjes, Anita Maria Setina. Në bord ndodheshin gjithashtu Rachel Reed dhe Charmy Fair.

Avioni drejtohej nga piloti 55-vjeçar Jeff Gregory dhe bashkëpilotja 20-vjeçare Natalia Figueras. Regjistrimet e komunikimeve me kullën e kontrollit kanë zbardhur momentet e fundit të fluturimit, duke treguar se ekuipazhi ishte paralajmëruar për kushtet e rrezikshme atmosferike. Sipas regjistrimeve të publikuara në LiveATC.com, kontrollorët e trafikut ajror i kishin paralajmëruar pilotët për reshje të dendura shiu dhe kushte të vështira në drejtimin ku po fluturonin. Bashkëpilotja konfirmoi se e kishte marrë mesazhin, duke u përgjigjur se do ta shqyrtonin paralajmërimin.

Akulli dhe turbulencat, problemet nisën në lartësinë 35 mijë këmbë
Gjatë fluturimit, piloti raportoi se në avion kishte filluar të grumbullohej akull, ndërsa turbulencat shkaktonin ndryshime të forta në lartësi. Ekuipazhi kërkoi të ngjitej në një lartësi më të madhe, por situata u përkeqësua me shpejtësi. Në komunikimet me kullën e kontrollit, piloti raportoi praninë e akullit dhe turbulencave të moderuara. Pak më vonë, ekuipazhi shpalli emergjencë, ndërsa avioni nisi një zbritje të pakontrolluar.

“Do të përplasemi në tokë”, fjalët e fundit të pilotit
Regjistrimi audio ka fiksuar momentet dramatike kur piloti njoftoi kontrollorët se avioni po humbiste lartësi me shpejtësi ekstreme. “Mayday, Mayday”, dëgjohet të thotë piloti, teksa raporton zbritjen e pakontrolluar. Në vijim, ai paralajmëron për përkeqësimin e situatës dhe shpejtësinë e madhe të rënies. Fjalët e fundit të tij, sipas regjistrimit, ishin: “Do të përplasemi në tokë”.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit në SHBA (NTSB) ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë. Ekspertët po shqyrtojnë veçanërisht nëse akulli i krijuar në avion dhe turbulencat kanë ndikuar në humbjen e kontrollit. Në hetim janë përfshirë edhe Administrata Federale e Aviacionit (FAA), ekspertë meteorologjikë dhe përfaqësues të prodhuesit të avionit. Autoritetet pritet të analizojnë të gjitha të dhënat e fluturimit dhe regjistrimet për të përcaktuar se çfarë ndodhi në minutat e fundit përpara rrëzimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: