Vendosni fjalën kyçe....

Lufta në Detin e Zi zgjerohet, sulmet ndaj anijeve vënë në provë vijat e kuqe të NATO-s


 

Përshkallëzimi i sulmeve në Detin e Zi po krijon një sfidë të re sigurie për NATO-n, pasi anijet tregtare janë goditur në afërsi të ujërave rumune dhe bullgare. Sulmet e fundit kanë rritur shqetësimet për sigurinë e vendeve anëtare të Aleancës në rajon dhe për ndikimin në transportin detar dhe eksportet e grurit e të naftës, përcjelL Euronews.

Muajin e kaluar, shtatë sulme ndaj anijeve të mallrave pranë Rumanisë dhe Bullgarisë e shtynë NATO-n të njoftonte vendosjen e avionëve patrullues detarë, radarëve dhe dronëve për të përforcuar krahun lindor në Detin e Zi. Tre ditë më vonë, më 23 tetor, një tjetër anije u godit pranë ujërave rumune. Ndërsa javën e kaluar, një anije greke me kontejnerë u fundos nga dronë detarë në zonën ekskluzive ekonomike të Bullgarisë.

Rumania e konsideron Detin e Zi një korridor jetik për tregtinë dhe një zonë me rëndësi strategjike për projektin e gazit në det të hapur Neptun Deep. Bukureshti ka akuzuar Rusinë për sulme sistematike ndaj anijeve civile, por nuk ka përcaktuar përgjegjësinë për çdo incident të veçantë, duke argumentuar se nevojiten prova mjeko-ligjore. Bullgaria, nga ana tjetër, nuk e ka akuzuar drejtpërdrejt Moskën, por ka deklaruar se disa prej sulmeve duket se i shërbejnë interesave të saj.

Përshkallëzimi vjen në një moment kur Shtetet e Bashkuara po rishikojnë praninë e tyre ushtarake në Evropë, ndërsa përqendrojnë vëmendjen te Kina. Një zyrtar rumun i tha Reuters se kjo situatë mund të shfrytëzohet nga presidenti rus Vladimir Putin, në një kohë kur vëmendja dhe forcat e NATO-s janë përqendruar kryesisht në veri dhe në rajonin e Baltikut.

Ndërkohë, sulmet kanë ndikuar drejtpërdrejt në qarkullimin detar. Sipas të dhënave të analistit të sigurisë detare Tomas Alexa, nga maji deri në tetor, Rusia dhe Ukraina kanë goditur gjithsej 317 anije tregtare dhe të tjera në Detin e Zi dhe Detin Azov. Kjo shifër është më shumë se katër herë më e lartë krahasuar me 74 anijet e goditura gjatë gjashtëmujorit paraardhës.

Të dhënat e Ambrey Analytics tregojnë se në tremujorin e tretë Ukraina kreu 137 sulme ndaj anijeve, kundrejt 92 sulmeve ruse. Vetëm gjatë tetorit, Rusia goditi 38 anije, ndërsa Ukraina pesë.

Pas goditjeve ndaj porteve dhe anijeve, të dyja palët janë detyruar të kërkojnë rrugë alternative për eksportet. Rusia eksportoi vetëm 300 mijë tonë drithë përmes Detit të Zi dhe Detit Azov në shtator, nga 4,74 milionë tonë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ukraina pezulloi operacionet në portet e Detit të Zi në fund të korrikut, për shkak të sulmeve ruse, dhe orientoi eksportet drejt porteve lumore në Danub, si dhe përmes kanalit Sulina në Rumani. Megjithatë, edhe eksportet ukrainase të drithërave përmes porteve ranë në 810 mijë tonë në shtator, nga 2,1 milionë tonë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka paralajmëruar për rrezikun e një krize ushqimore nëse sulmet ndaj transportit detar vazhdojnë. Ndërkohë, Turqia, Egjipti dhe India kanë mbështetur idenë e një armëpushimi të kufizuar në det, për të shmangur pasoja të mëtejshme në tregtinë ndërkombëtare dhe çmimet e karburanteve e të drithërave.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të shtunën se po rritet interesi ndërkombëtar për një armëpushim të tillë. Rusia e ka kundërshtuar propozimin, duke argumentuar se ai do t’i jepte Ukrainës mundësi të rimëkëmbej.