Botë e Çuditshme Travel

Eci 50,000 km dhe kaloi 29 vende, rikthehet në shtëpi burri që shëtiti botën për më shumë se dy dekada!

Pas 28 vitesh ecjeje nëpër botë dhe pasi përshkoi 50,000 kilometra, britaniku Carl Busby mbërriti në qytetin e tij të lindjes, Hull, në Anglinë verilindore, ku u prit nga qindra banorë.

57-vjeçari, një ish-parashutist i ushtrisë britanike, u nis në vitin 1998 nga Kili dhe vendosi dy rregulla për aventurën e tij, që të mos përdorte asnjë mjet transporti dhe të mos kthehej në shtëpi para se të përfundonte misionin e tij.

Ai eci nëpër të gjithë kontinentin amerikan, kaloi Ngushticën e Beringut në Alaskë duke u drejtuar drejt Rusisë dhe vazhdoi drejt Azisë Qendrore dhe Evropës, përmes xhunglave, maleve, shkretëtirave dhe deteve të ngrira.

“Nuk i bëra të gjitha këto vetëm. Nuk mund ta imagjinoni numrin e njerëzve që janë përfshirë në kapërcimin e pengesave, të refuzimit të vizave për kalimin e Kanalit”, tha Carl Busby, duke qëndruar në një podium përpara bashkisë.

Qindra bashkatdhetarë të tij e mirëpritën me një banderolë ku shkruhej: “Mirë se erdhe në shtëpi Karl!”. “Mendoj se Karli është i mrekullueshëm. E kam ndjekur për tetë vjet dhe ai ka ecur që kur kam lindur, është e mrekullueshme”, tha një banor 28-vjeçar i qytetit.

“Të gjithë janë krenarë për ty, krenarë për guximin tend”, tha kryetarja e bashkisë së Hull, Maria Coward, në pritjen për Carl. Pas ceremonisë së shkurtër të mirëseardhjes, Carl bëri pjesën e fundit të udhëtimit për në shtëpinë e nënës së tij, kur takoi djalin e tij 36-vjeçar, Adam, dhe mbesën e tij 12-vjeçare, të cilën nuk e kishte takuar kurrë më parë.

Carl Busby e filloi aventurën e tij në moshën 29 vjeç, pasi u nda nga gruaja e tij, e cila shkoi në Irlandën e Veriut me djalin e tyre. Gjatë gati dy dekadave, udhëtimi i tij u ndërpre shumë herë. Moska refuzoi t’i jepte vizë për vite me radhë dhe probleme të tjera me lejet e hyrjes, ndërsa kriza financiare e vitit 2008 dhe pandemia Covid-19 i kushtuan gjithsej 14 nga 28 vitet e udhëtimit.

Gjatë këtyre periudhave, Carl Busby e ndaloi udhëtimin e tij, duke qëndruar kryesisht në Meksikë, dhe më pas vazhdoi rrugën nga vendi ku e kishte lënë, duke arritur të përshkojë 29 vende.

Ai mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar pasi notoi Kanalin Anglez nga Franca veriore. Një grup i vogël miqsh dhe anëtarësh të familjes, përfshirë veten dhe babanë e tij, e pritën atë në plazhin e Doverit në Anglinë jugore. Alpinisti britanik u duartrokit dje ndërsa kalonte Urën Hambler, tre orë larg shtëpisë së tij, në mjegull të dendur dhe tha se ishte prekur nga pritja që iu bë.

“Është mirë të ndiesh tokën britanike nën këmbët e tua përsëri pas gjithë këtyre viteve. Nuk ishte e lehtë, por kjo ishte e gjitha. Të provoja se mund të bëj më shumë sesa mendoja se mundesha. Ne mund të bëjmë çdo gjë, shumë më tepër sesa imagjinojmë”, tha ai.

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.