E martë, 3 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 6 sekonda më parë
Video · Kronikë

Detaje të reja nga grabitja e bankës së nivelit të dytë në Tiranë, me sa para u largua autori

Një bankë e nivelit të dytë në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë është grabitur me armë zjarri në mes të ditës. Ngjarja ka ndodhur më 2 nëntor, rreth orës 10:45, ndërsa autori ka arritur të marrë një shumë të konsiderueshme parash dhe më pas është larguar me monopatinë elektrike.

Detaje të reja për grabitjen janë bërë publike në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, nga gazetari Esido Barkaj, i cili raportoi se shuma e grabitur dyshohet të jetë rreth 60 mijë euro.

Sipas informacioneve paraprake nga hetimet, autori ka qenë i maskuar me skafandër motori, shall të zi dhe rroba të errëta. Pasi ka parkuar monopatinën elektrike përpara bankës, ai është futur brenda dhe, nën kërcënimin e armës, ka fillimisht kërcënuar punonjësin e sigurisë dhe më pas është drejtuar te arka, ku ka marrë paratë.

Pas grabitjes, ai është larguar nga dera kryesore dhe ka lëvizur me monopatinë në drejtim të stadiumit “Selman Stërmasi”.

Reklamë

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së bankës dhe të bizneseve përreth, ndërsa grupi hetimor po analizon edhe pamjet e kamerave të tjera përgjatë rrugëve ku dyshohet se ka kaluar autori. Hetuesit po përpiqen të identifikojnë lëvizjet e tij, përfshirë mundësinë që në ndonjë moment të ketë hequr skafandrën.

Një nga pistat që po shqyrtohet është edhe mundësia që autori ta ketë studiuar më parë ambientin e bankës. Dyshohet se ai mund të jetë paraqitur ditë apo javë përpara si klient, për të vëzhguar lëvizjet e punonjësve, pozicionin e arkave dhe mënyrat e hyrjes e të daljes.

Gazetari Esido Barkaj bëri të ditur gjithashtu se banka e grabitur nuk kishte një sistem të avancuar sigurie me dyer të dyfishta identifikimi, por vetëm një roje sigurie dhe hyrjen kryesore.

Dy grabitje në të njëjtën zonë brenda pak muajsh

Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është fakti se kjo është banka e dytë e nivelit të dytë që grabitet në zonën e Komunës së Parisit brenda pak muajsh.

Më 2 qershor, një tjetër bankë, vetëm rreth 300 metra larg vendit të ngjarjes së fundit, u grabit gjithashtu. Edhe në atë rast dyshohet se autori përdori monopatinën elektrike për t’u larguar.

Ngjashmëritë në mënyrën e veprimit kanë ngritur dyshimet se pas të dyja grabitjeve mund të jetë i njëjti person. Megjithatë, kjo pistë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga policia.

Deri më tani, dyshohet se autori i grabitjes së fundit ka vepruar i vetëm, por hetimet nuk përjashtojnë mundësinë e bashkëpunëtorëve.

Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa ende nuk ka një person të arrestuar për ngjarjen.

/vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.