Gazetari Lavdërim Lita ka ngritur dyshime për arsye të tjera pas transferimit të njëkohshëm të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe Ergys Agasit drejt burgut të Fierit, duke kërkuar që institucionet të sqarojnë se kush e urdhëroi këtë lëvizje dhe çfarë fshihet pas saj.
I ftuar në A2CNN, Lita deklaroi se ekzistojnë dyshime për komunikime mes burgut të Durrësit, ku ndodhej Veliaj, dhe atij të Bradasheshit, ku qëndronte Agasi. Sipas tij, këto komunikime mund të kenë përfshirë edhe një person tjetër brenda Partisë Socialiste.
Gazetari pretendoi se këto zhvillime kanë vënë në lëvizje Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe Shërbimin Informativ, të cilat dyshohet se i kanë përcjellë kryeministrit Edi Rama një informacion tepër sekret mbi situatën në burgje dhe zhvillimet e protestave në bulevard.
“Në të njëjtën ditë është transferuar nga Bradasheshi drejt Fierit Ergys Agasi, një person që dihet statusi i tij në shoqërinë shqiptare, në raportet mes kryeministrit dhe bandave. Ka dyshime që ka pasur komunikime mes burgut të Durrësit dhe burgut të Bradasheshit, pra mes Erion Veliajt dhe Ergys Agasit, në raport me një person tjetër brenda PS-së dhe gjëra të tjera. Kjo ka ngritur antenat e shërbimit të kontrollit të brendshëm të burgjeve dhe shërbimit informativ, që i ka dërguar një informacion tepër sekret kryeministrit, për zhvillimet që po ndodhin njëkohësisht në bulevard dhe në burgje, prandaj është përmendja e Toni Gogut për Veliajn, për prishjen e rendit kushtetues. Është një gjë që ndërlidhet me akuzën politike që financon flamingot apo grupe brenda protestës. Duhet hetuar më thellë sepse të gjithë fshihen pas sekretit shtetëror. Edhe SPAK-u edhe zyrtarë të tjerë kanë të drejtën të flasin dhe ta sqarojnë këtë gjë, nëse Erion Veliaj ka pasur qëllime për revoltë në burgje, për të bashkërenduar me protestën dhe për të prishur rendin kushtetues, siç ka deklaruar Gogu në burgun e Fierit”, deklaroi gazetari.












