Pesëmbëdhjetë goditje elektrike dhe ndërhyrje urgjente në zemër, mjekët e QSUT-së shpëtojnë jetën e 29-vjeçarit pas infarktit akut

03/11/2026 10:21

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Klodiana Spahiu, ka njoftuar se në Shërbimin e Kardiologjisë në QSUT është shpëtuar jeta e një 29-vjeçari, i cili u paraqit në gjendje kritike si pasojë e një infarkti akut.

Sipas ministres Spahiu, 29-vjeçari u shpëtua falë ndërhyrjes së suksesshme të ekipit të Hemodinamikës, përmes 15 goditjeve elektrike dhe urgjente për zhbllokimin e arteries kryesore të zemrës.

Ministrja e Shëndetësisë tha gjithashtu se i riu është jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve, ndërkohë që falënderoi edhe doktorët Donald Mançe, Gentian Mehmeti dhe gjithë stafin mjekësor për këtë arritje.

“Në Shërbimin e Kardiologjisë në QSUT-së, ku profesionalizmi dhe ndërhyrja në kohë shpëtuan jetën e një 29-vjeçari, i paraqitur në gjendje kritike si pasojë e një infarkti akut dhe sot  është jashtë rrezikut për jetën, falë ndërhyrjes së suksesshme të ekipit të Hemodinamikës.

❤️Pas 15 goditjeve elektrike dhe ndërhyrjes urgjente për zhbllokimin e arteries kryesore të zemrës, i riu po rikuperohet nën kujdesin e mjekëve.

👏 Mirënjohje për Dr. Donald Mançe, Dr. Gentian Mehmeti dhe të gjithë ekipin mjekësor”, njoftin ministrja e Shëndetësisë.

Top Channel