Është një nga rastet e rralla kur ti, nëse ulesh para kompjuterit dhe kërkon të reflektosh për atë që ka ndodhur nga data 28 tetor e deri më sot, e ke të vështirë të gjesh një fill që do të të orientojë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me Erion Veliajn dhe përse kryetari i Bashkisë më të madhe në vend, ai që është zgjedhur me një votë gati plebishitare në mandatin e tretë, tani gjendet i sulmuar dhe i kërcënuar edhe nga Kryeministri i tij. E pabesueshme!!! Ashtu siç ndodh në regjimet hibride, kam parasysh këtu atë rus, kur prodhohet një ngjarje, narrativa mbi të nis e hollohet, dëmtohet dhe ata që e kanë prodhuar ngjarjen përpiqen ta rrëfejnë atë jo duke treguar të vërtetën, por duke treguar atë që, sipas tyre, “i shërben” opinionit publik.
Para disa ditësh edhe në Rusi u mbyll gazeta “Novaya Pravda” e vetmja gazetë e pavarur. Arsyet e regjimit janë se ajo po merrej pak më shumë se ç’duhej me luftën në Ukrainë dhe me operacionet ushtarake atje. Kthehemi në Shqipëri. Le ta ndërtojmë kronikën. Më datën 28 tetor Veliaj rrëmbehet nga burgu i Durrësit ku qëndronte i paraburgosur dhe, pa asnjë njoftim, pa asnjë shkresë, dërgohet në qelitë e izolimit të burgut të Fierit. Atij i komunikohet nga administrata e burgut të Fierit se do të rrish në izolim për dhjetë ditë në një qeli pa ujë, pa ajrosje dhe pa dritë. Shkon për ta takuar avokati i tij, juristi i njohur Plarent Ndreca dhe prej tij mësojmë se po, është e vërtetë që e kanë izoluar në një qeli me ato kushte që u përmendën dhe nuk i kanë dhënë asnjë spjegim. Një ditë më pas, përmes shtypit mësojmë se dy deputetë të PS-së, përkatësisht Blendi Çuçi dhe Fatmir Xhafaj i kërkojnë shpjegime ministrit Gogu se përse është plasur në qeli dhe në izolim në Fier Erion Veliaj. Deputeti Çuçi shkon më tej dhe i thotë na trego shkresën që justifikon izolimin në qeli të Veliajt. Aty del edhe shprehja e famshme “sekret shtetëror” që lidhet me sigurinë e Veliajt. Kështu deklaronte ministri Gogu.
Pas kësaj, Veliaj boton një status dhe thotë se, sipas ligjit, një prej këtyre figurave të larta të shtetit ka tagrin të vendosë se çfarë është dhe çfarë nuk është sekret shtetëror. Tani ngjarja ka filluar të largohet nga autori që e ka prodhuar dhe, ashtu siç ndodh në narratologji, autori krijon një personazh që të rrëfejë ngjarjen. Ky personazh është ministri ish-pastor, Gogu. Ndërkaq, në media ka dalë rrëfimi i Veliajt për takimin në errësirë të datës 30 tetor në burgun e Fierit. Ministri Gogu ose rrëfimtari i ngjarjes që është prodhuar nga kryeministri, më 2 nëntor boton një status dhe hedh poshtë ato që pretendon Veliaj dhe si ish-prift që është, thotë se kishte shkuar në mesnatë ta takonte Veliajn por për t’i çuar ca libra dhe për ta takuar si mik. Bota sipas Biblës u ndryshua nga një libër. Pas kësaj Erion Veliaj publikon shënimet që ka mbajtur në takimin me ministrin Gogu dhe porositë që i kishte dërguar ai nga kryeministri. Përsëri ditën e djeshme, ministri Gogu hodhi poshtë ato që kishte mbajtur shënime Veliaj.
Dhe mesa duket zotit Gogu këtu mund t’i jetë kujtuar Ponc Pilati që lau duart. Mirëpo, kanë mbetur ende pa përgjigje disa pyetje: zoti Gogu duhet të tregojë shkresën që është hartuar nga kryeministri i cili ka tagrin për të hartuar tekste të klasifikuara si sekret shtetëror dhe të argumentojë të paktën para dy kolegëve se çfarë sekreti fshihet pas mbylljes në qeli të Veliajt. Si do të rrezikohej Republika jonë nëse Veliaj nuk do të ishte plasur në qeli. A shpëtuam nga ai rrezik që i vinte Republikës sonë tani që Veliaj është në qeli i izoluar apo rretiku vazhdon? Të tjerat kanë pak rëndësi.
Nga gjithë kjo histori ajo që mbetet nuk është fati i Veliajt, por drama e madhe e thyerjes së besimit te një forcë politike që kishte premtuar të qeveriste pa mënyrën dhe pa stilin e Berishës të atij njeriu që, për arsye shtetërore, vrau dhe hodhi në det Remzi Hoxhën. Kurrë nuk e kisha menduar se kjo qeveri do të përdorte burgun si hakmarrje egoiste ndaj një njeriu që vetëm e ka lartësuar Partinë Socialiste. Dhe ministri pastor Gogu për fat të keq na solli në mendje famëkeqin Gazidede.








Komente
Komento