Drejtoresha e organizatës Women for Women, Iliriana Jaka Gashi, ka rrëfyer një nga përvojat më prekëse të punës së saj, kur një grup i grave. të mbijetuara nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë kishin vendosur të flisnin për përjetimet e tyre pas 13 vitesh.

E ftuar në episodin e nëntë të podcastit “Rrugëtimi” në Telegrafi, Jaka Gashi ka treguar se gjatë 15 viteve të angazhimit në organizatë ka dëgjuar histori të shumta të grave, por disa prej tyre kanë lënë gjurmë të veçanta në kujtesën e saj.


Një nga këto histori lidhet me vitin 2012, kur organizata ishte kontaktuar nga një grup grash që kishin përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës.

“Ka qenë një grup i grave, të cilat në vitin dy mijë e dymbëdhjetë na kanë thirrë. Edhe na kanë tregu që janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës”, ka theksuar Jaka Gashi.

Sipas saj, për këto gra kishte qenë hera e parë që kishin gjetur guximin të flisnin për përjetimet e tyre, plot 13 vjet pas përfundimit të luftës.

“Do të thotë, pas trembëdhjetë viteshpër herë të parë e kanë shprehë atë çka i ka mundu”, është shprehur ajo.

Jaka Gashi ka rrëfyer se gratë u kishin treguar se ajo dhe koleget e saj ishin ndër personat e parë që kishin kuptuar çfarë u kishte ndodhur.

“Edhe na kanë thënë që në fakt ne jemi të parat, unë me kolegët, të cilat e kuptojmë çka ju ka ndodhë”, ka thënë ajo.

Pas këtij kontakti, organizata kishte vazhduar t'i mbështeste gratë, të cilat më vonë kishin arritur të përfitonin edhe pensionet përkatëse.

“Ato e kanë marrë pensionin edhe sot”, ka treguar drejtoresha e Women for Women.

Megjithatë, ajo ka theksuar se mbështetja financiare nuk mund t'i zhbëjë përjetimet traumatike të luftës.

“Unë jam hala në kontakt me to, nuk mund të them që pensioni e ka kriju lumturinë”, është shprehur Jaka Gashi.

Sipas saj, përfshirja e grave në aktivitetet e organizatës u kishte krijuar mundësi të reja për socializim dhe për t'u çliruar sadopak nga stigma.

Ajo ka treguar se gratë ishin bërë pjesë e grupeve të organizatës, pa qenë e nevojshme që pjesëmarrëset e tjera të dinin për përjetimet e tyre gjatë luftës.

“Janë liruar pak prej asaj stigmës që e kanë”, ka theksuar ajo.

Jaka Gashi ka vlerësuar se edhe shoqëria ka bërë përparim në këtë drejtim, duke përmendur miratimin e legjislacionit përkatës dhe rritjen e numrit të grave dhe burrave që kërkojnë njohjen e statusit dhe pensionet.

Ajo ka shprehur shpresën që gjithnjë e më shumë të mbijetuar të kenë mundësi të kërkojnë të drejtat e tyre.

Gjatë intervistës, drejtoresha e Women for Women ka folur edhe për ndikimin emocional që historitë e tilla kanë te personeli i organizatës.

Sipas saj, dëgjimi i përvojave të vështira të grave lë pasoja emocionale edhe te profesionistet që punojnë për t'i mbështetur ato, por historitë e ndryshimit pozitiv janë një motivim i rëndësishëm për të vazhduar punën. /Telegrafi/

Episodin e plotë mund ta gjeni më poshtë.

- YouTube www.youtube.com