ERE rishikon transferimin e aseteve në energji, përfshin depozitimin dhe pikat e karikimit
Operatorët e depozitimit të energjisë elektrike dhe të pikave të karikimit të automjeteve elektrike do të përfshihen shprehimisht në rregullat për transferimin e aseteve, ndërsa kompanitë e sektorit do t’u nënshtrohen procedurave të rishikuara për shitjen, dhënien me qira, hipotekimin apo transferimin e infrastrukturës që përdorin në aktivitetin e tyre.
Ndryshimet parashikohen në një draft-rregullore të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), të nxjerrë për konsultim në zbatim të ligjit të ri nr. 59/2026 “Për sektorin e energjisë elektrike”.
Detyrimi për miratim paraprak nga ERE ekziston edhe aktualisht, sipas rregullores së vitit 2016. Drafti i ri zgjeron fushën e zbatimit dhe detajon kushtet e përjashtimit, dokumentacionin dhe kriteret për shqyrtimin e transaksioneve. Pragu i përgjithshëm i përjashtimit mbetet 150 milionë lekë. Kompanitë mund të transferojnë asete deri në këtë vlerë pa miratim paraprak, me kusht që transaksioni të mos cenojë përmbushjen e detyrimeve të licencës, vazhdimësinë e shërbimit dhe sigurinë e furnizimit.
Për hidrocentralet me kapacitet të instaluar nën 5 MW, miratimi kërkohet kur vlera e aseteve që transferohen tejkalon 50 milionë lekë. Drafti parashikon gjithashtu masa kundër ndarjes së transaksioneve për të shmangur pragjet e miratimit. “Përjashtimi nuk zbatohet për transaksione të ndara artificialisht me qëllimin ose efektin e shmangies së pragut të miratimit”, përcakton dokumenti.
ERE mund t’i trajtojë si një transaksion të vetëm veprimet e lidhura sipas palëve, objektit, kohës ose qëllimit ekonomik. Kompanitë që kërkojnë miratim duhet të paraqesin vlerën e detajuar të aseteve, marrëveshjen ndërmjet palëve, pasqyrat financiare dhe vlerësimin e ndikimit të transferimit në aktivitetin e licencuar.
Për shoqëritë koncesionare ose asetet që lidhen me marrëveshje zhvillimi me shtetin, kërkohet edhe dokumentacioni kontraktor dhe prova e njoftimit ose miratimit nga autoriteti shtetëror, kur kjo parashikohet. Një tjetër element i rregullores është vlerësimi i ndikimit të transaksioneve te konsumatorët. ERE do të shqyrtojë ndryshimet e mundshme në tarifat e rregulluara, kostot e rrjetit dhe mundësinë e kalimit të tyre te klientët.
“Shqyrtimi synon të verifikojë se transaksioni nuk cenon sigurinë dhe vazhdimësinë e shërbimit, të drejtat e klientëve, kushtet e licencës”, thuhet në draft.
Afati i vendimmarrjes parashikohet 45 ditë pune nga fillimi i procedurës së shqyrtimit. Në rast dokumentacioni të paplotë, aplikuesi ka 15 ditë pune nga marrja e njoftimit për plotësimin e tij. Bordi i ERE-s mund ta miratojë transferimin me kushte ose ta refuzojë nëse rrezikohet përmbushja e detyrimeve të licencës.
Pas realizimit të transaksionit, kompanitë duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës brenda 30 ditëve kalendarike, përveç rasteve kur vendimi përcakton një afat tjetër.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









