Nafta rikthehet mbi 106 dollarë, sulmet amerikane ndaj Iranit zbehin shpresat për paqe
Çmimet e naftës u rritën të martën, më 3 nëntor, duke rikuperuar një pjesë të humbjeve të një dite më parë, pasi një sulm amerikan ndaj një ishulli iranian dhe deklaratat e Teheranit për vështirësitë e negociatave ringjallën shqetësimet për furnizimin global me energji.
Nafta Brent, standardi ndërkombëtar i tregtimit, u rrit me 1.76%, ose 1.84 dollarë, duke arritur në 106.61 dollarë për fuçi. Nafta amerikane West Texas Intermediate u shtrenjtua me 1.66%, në 98.06 dollarë për fuçi, sipas çmimeve të regjistruara në orën 07:44 GMT.
Rritja erdhi pas një seance me luhatje të forta, gjatë së cilës të dy standardet kryesore të naftës kishin humbur më shumë se 7% të vlerës. Tregjet reaguan fillimisht ndaj njoftimeve për bisedime ndërmjet zyrtarëve iranianë dhe ndërmjetësve nga Katari, të cilat kishin shtuar shpresat për përfundimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Sipas Reuters, Shtetet e Bashkuara goditën ishullin iranian Qeshm, ndërsa një zyrtar i lartë iranian deklaroi se Washingtoni dhe Teherani mbeten larg arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës. Zyrtarët amerikanë i përshkruan sulmet si veprime mbrojtëse, të ndërmarra për të penguar sulmet iraniane ndaj anijeve tregtare që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin ndërkombëtar të naftës.
Nga ana tjetër, Teherani deklaroi se nuk do të pranonte kërkesat që i konsideron të tepruara nga pala amerikane. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, tha se Irani i kishte dhënë Washingtonit një përgjigje të fortë dhe të arsyeshme dhe se tashmë radha për të vepruar i takonte palës amerikane.
Tim Waterer, analist kryesor i tregjeve në KCM Trade, tha se zhvillimet e fundit kishin rikthyer në çmimet e naftës primin e rrezikut që lidhet me konfliktin. Sipas tij, tregjet sapo kishin filluar të përfshinin në çmime mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike, përpara se veprimet e reja ushtarake të ndryshonin pritshmëritë.
Konflikti, i nisur në fund të shkurtit, ka mbajtur të larta çmimet e karburanteve dhe është kthyer në një çështje të rëndësishme politike në Shtetet e Bashkuara, ku zhvillohen zgjedhjet e ndërmjetme për Kongresin.
Ndërkohë, tregjet e energjisë po ndjekin edhe zhvillimet në Ukrainë. Një sulm ukrainas me dron dëmtoi një rafineri nafte në qytetin rus të Yaroslavlit, ndërsa Rusia kreu sulme ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase.
Pas rënies së fortë të së hënës dhe rikuperimit të së martës, tregtimi i naftës mbetet i ndikuar nga lajmet mbi negociatat diplomatike dhe zhvillimet ushtarake. Brent e kishte mbyllur tetorin në nivelin më të lartë të gjashtë muajve, mes shqetësimeve për një përshkallëzim të ri të konfliktit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









