Pa deputetët e shumicës, bllokohen shqyrtimi i projektligjit për energjinë dhe raportimi për Konkurrencën

Mungesa e përfaqësuesve të shumicës parlamentare ka lënë pa kuorum Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, duke pamundësuar shqyrtimin në parim të Projektligjit për Efiçiencën e Energjisë dhe raportimin për situatën në Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës. Mbledhja po vijon me deputetët e opozitës, ndërsa anëtarët e koalicionit qeverisës kishin kërkuar me email shtyrjen e saj vetëm 15 minuta përpara fillimit.

Arben Mustafa, kryetar i Komisionit, e konsideroi kërkesën e minutës së fundit të papërgjegjshme dhe joserioze. Ai shpjegoi se për të raportuar ishin thirrur edhe palë të treta dhe se mediat ishin njoftuar për zhvillimin e mbledhjes.

Të lidhura

None found

Duke paraqitur çështjet e parashikuara për diskutim, Mustafa bëri të ditur se në rendin e ditës ishte shqyrtimi në parim i Projektligjit nr.11/L-020 për efiçiencë të energjisë. Sipas tij, ministrja nuk kishte mundur ta paraqiste projektligjin në Komision javën e kaluar, pasi kishte njoftuar se mungonte për arsye shëndetësore. Këtë herë, trajtimi i tij u pamundësua nga mospjesëmarrja e anëtarëve të Komisionit.

Një tjetër pikë e agjendës ishte raportimi i anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës mbi gjendjen e këtij institucioni. Mustafa kritikoi deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje, duke i akuzuar se po i shmangen diskutimit të problemeve të ngritura për Autoritetin.

Kreu i Komisionit nënvizoi se secili deputet ka detyrimin të mundësojë mbikëqyrjen parlamentare. Ai e cilësoi Autoritetin e Konkurrencës një institucion të rëndësishëm dhe theksoi nevojën që të garantohet respektimi i ligjit në çdo institucion.

Në vlerësimin e Mustafës, mospjesëmarrja e shumicës tregon mungesë gatishmërie për t’u marrë me problemet në Autoritetin e Konkurrencës. Ai tha se shmangia e përballjes nuk sjell zgjidhje dhe paralajmëroi se do të këmbëngulin që parregullsitë e raportuara të diskutohen në Komision. Sipas tij, angazhimi i Kuvendit të Kosovës për këto probleme është urgjent.

Lidhur me shqetësimet e ngritura, Mustafa njoftoi se Komisionit për Ekonomi i janë dorëzuar dokumente, shkresa dhe dëshmi të shumta, të cilat ngrenë pikëpyetje serioze për funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Ai veçoi një shkresë të pranuar më 16 tetor 2026 nga dy anëtare të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Kaltrina Sela dhe Nafie Osdautaj. Sipas Mustafës, ato pretendojnë se janë penguar të ushtrojnë rolin e tyre në këtë institucion dhe ngrenë pretendime për shkelje ligjore nga kryetarja e Autoritetit, Naime Bunjaku-Isufi.


Quantcast