Jesus de Miguel do të mbetet përgjithmonë një emër i veçantë në historinë e fundit të Tenerife-s. Sulmuesi spanjoll, i cili u nda nga jeta në moshën 30-vjeçare pas një përplasjeje të rëndë me portierin e Andorrës, Owono, ishte një nga protagonistët kryesorë të rikthimit të skuadrës në Segunda División. Një futbollist që mbërriti pa shumë bujë, por që shumë shpejt u kthye në një prej idhujve të tifozëve në stadiumin “Heliodoro”.
I lindur në Madrid më 27 shtator 1996, De Miguel ndërtoi një karrierë të gjatë përmes kategorive të ulëta të futbollit spanjoll. Rrugëtimi i tij nuk ishte aspak i lehtë, pasi iu desh të kalonte në disa skuadra dhe të luftonte për të fituar një vend në futbollin profesionist.
Ai u formua në akademinë e Leganés, përpara se të aktivizohej me disa ekipe, mes tyre Internacional de Madrid, Fuenlabrada, Unión Adarve dhe Navalcarnero.
Sulmuesi spanjoll spikaste për forcën fizike, këmbën e majtë dhe aftësinë për të luajtur si qendërsulmues. Një nga momentet e para të rëndësishme në karrierën e tij erdhi në vitin 2018, kur me Internacional de Madrid siguroi ngjitjen në Segunda División B, pas një përballjeje në fazën play-off pikërisht ndaj Tenerife B, në stadiumin “Heliodoro”. Vite më vonë, i njëjti stadium do të bëhej shtëpia e tij.
Kalimi te Castellon, momenti që ndryshoi karrierën
Pas eksperiencave të ndryshme, De Miguel vazhdoi rritjen me Fuenlabradan, skuadër me të cilën ishte pjesë e grupit që siguroi ngjitjen në Segunda División në sezonin 2018-2019.
Më pas kaloi te Navalcarnero dhe në vitin 2021 iu bashkua Unionistas de Salamanca. Pikërisht aty nisi të tregonte edhe më shumë potencialin e tij si golashënues, duke realizuar 12 gola në Primera Federación.
Në janar të vitit 2023 erdhi një tjetër hap i rëndësishëm, me transferimin te Castellón. Ky ishte momenti që do t’i ndryshonte përfundimisht karrierën.
Me fanellën e kësaj skuadre gjeti vazhdimësi dhe fitoi një rol të rëndësishëm në repartin ofensiv. Sezoni 2023-2024 ishte ai i shpërthimit të tij, pasi realizoi 16 gola në Primera Federación dhe luajti një rol vendimtar në ngjitjen e Castellón në Segunda División.
Në tri sezone me klubin, ai realizoi 25 gola, duke arritur më në fund objektivin për të cilin kishte luftuar gjatë gjithë karrierës: futbollin profesionist.
Tenerife, kapitulli më i bukur dhe i fundit i karrierës
Eksperienca në Ishujt Kanarie përfaqësoi pikën më të lartë të karrierës së Jesús de Miguel. Tenerife i besoi përgjegjësinë e repartit ofensiv dhe sulmuesi iu përgjigj me gola dhe paraqitje vendimtare.
Rikthimi i klubit në Segunda División u kthye në simbolin e një rrugëtimi të përbashkët: nga njëra anë, një skuadër që kërkonte të rikthehej mes ekipeve protagoniste të futbollit spanjoll dhe nga ana tjetër, një futbollist që kishte pritur për vite me radhë mundësinë e tij të madhe.
Për tifozët e Tenerife-s, De Miguel do të mbetet një nga figurat e sezonit të rikthimit në kategorinë e dytë, një futbollist që ndihmoi skuadrën të rikthente entuziazmin dhe krenarinë te mbështetësit e saj.
Fatkeqësisht, një ngjarje tragjike i ndërpreu shumë herët ëndrrat e sulmuesit spanjoll. Në moshën 30-vjeçare, kur kishte ende shumë për të dhënë në futboll, Jesús de Miguel u nda nga jeta, duke lënë pas një histori sakrifice, këmbënguljeje dhe dashurie për lojën.
