Monoksidi i karbonit shuan një familje në Itali, pas prindërve ndërron jetë edhe foshnja 7-muajshe

03/11/2026 11:31

Një tragjedi e rëndë ka tronditur zonën e Parmës në Itali, ku një foshnjë vetëm 7-muajshe ka ndërruar jetë pas helmimit nga monoksidi i karbonit. E vogla nuk arriti t’u mbijetonte plagëve, pasi më herët nga i njëjti helmim humbën jetën edhe prindërit e saj.

Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë natës mes së enjtes, 29 tetor, dhe të premtes, 30 tetor, në një banesë në Mezzani, në provincën e Parmës.

Sipas hetimeve paraprake, familja dyshohet se kishte përdorur një sobë me dru për të ngrohur dhomën e gjumit. Nga pajisja dyshohet se janë çliruar gazra helmues, të cilët shkaktuan intoksikimin fatal.

Viktimat janë babai 35-vjeçar dhe nëna 32-vjeçare, të cilët dyshohet se kanë humbur jetën në gjumë. Foshnja e tyre 7-muajshe u gjet ende në jetë dhe u transportua fillimisht në qendrën hiperbarike të spitalit në Vaio, në Fidenza. Më pas ajo u shtrua në repartin e terapisë intensive pediatrike në spitalin Maggiore të Parmës, por ndërroi jetë këtë mëngjes.

Alarmi për ngjarjen dyshohet se u dha nga djali 14-vjeçar i çiftit, pasi xhaxhai i tij nuk po arrinte të kontaktonte prindërit. Edhe xhaxhai dhe familjarë të tjerë që ndodheshin në banesë pësuan helmim të lehtë nga monoksidi i karbonit. Ata morën ndihmën mjekësore dhe më pas u larguan nga spitali, pasi gjendja e tyre nuk paraqiste rrezik të veçantë.

Familja, me origjinë nga Senegali, jetonte prej disa vitesh në zonën e Parmës dhe ishte transferuar së fundmi në banesën në rrugën Bocca d’Enza, ku ndodhi tragjedia. Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e helmimit.

Top Channel