Pala greke rikthen orarin dimëror në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafëbotës, 4 orë më pak shërbim, ja fasha e re
Me nisjen e muajit nëntor ka hyrë në fuqi orari dimëror i funksionimit të pikës së kalimit kufitar të Qafëbotës, duke reduktuar me katër orë kohën e shërbimit për udhëtarët dhe automjetet që lëvizin mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Sipas njoftimit të fundit të Autoritetit të Pavarur të të Ardhurave Publike në Greqi (AADE), pika kufitare e Mavromatit (Qafëbotë) do të funksionojë nga ora 07:00 deri në 21:00, sipas orës greke. Ky orar do të jetë në fuqi nga 1 nëntori deri më 31 mars.
Gjatë sezonit veror, shërbimi në këtë pikë kufitare ishte i disponueshëm për 18 orë, nga ora 05:00 deri në 23:00 sipas orës greke, ose nga ora 06:00 deri në 24:00 sipas orës shqiptare. Me rikthimin e orarit dimëror, lëvizja përmes Qafëbotës do të jetë e kufizuar jashtë fashës së përcaktuar.
Zgjatja e orarit të funksionimit të kësaj pike kufitare ka qenë vazhdimisht objekt diskutimesh mes autoriteteve shqiptare dhe greke, veçanërisht në kushtet e rritjes së flukseve tregtare dhe turistike. Për këtë çështje janë zhvilluar bisedime në nivel vendor, me përfshirjen edhe të deputetëve të Sarandës dhe Igumenicës.
Me nismën e deputetit të Sarandës, Vasil Llajo, u hartua dhe u mbështet edhe nga homologë grekë një letër-kërkesë drejtuar kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, për vendosjen e shërbimit 24-orësh në Qafëbotë, të paktën gjatë sezonit turistik. Kërkesa iu dorëzua Mitsotakisit gjatë një vizite të tij në qytetin e Igumenicës.
Megjithatë, shërbimi 24-orësh nuk u realizua as gjatë sezonit turistik të këtij viti. Tashmë, me hyrjen në fuqi të orarit dimëror, pika kufitare do të hapet dy orë më vonë në mëngjes dhe do të mbyllet dy orë më herët në mbrëmje, krahasuar me orarin veror.
Ndërkohë, për mjetet e rënda dhe autobusët e linjave të rregullta që duhet të udhëtojnë jashtë orarit të përcaktuar, shërbimi do të ofrohet përmes pikës kufitare të Kakavijës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



