Vodhi makinën në parkimin e hotelit në Sarandë, arrestohet pas 30 minutash 31-vjeçarja
Një 31-vjeçare është arrestuar në Sarandë, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet në vendparkimin e një hoteli në lagjen nr. 1 të qytetit.
Sipas njoftimit të Policisë, pas kallëzimit të pronarit të automjetit, shërbimet policore organizuan menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autores së dyshuar.
31-vjeçarja, banuese në Sarandë, është lokalizuar rreth 30 minuta pas vjedhjes, në afërsi të tunelit të Skërficës, teksa drejtonte automjetin e vjedhur.
Gjatë veprimeve hetimore është zbuluar se e dyshuara kishte hequr targat e automjetit dhe i kishte hedhur në një kazan mbeturinash në dalje të qytetit.
Policia ka sekuestruar automjetin dhe targat e tij në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 31-vjeçarja me inicialet E. S. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Vjedhja”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv




