E martë, 3 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ndreca: Zgjedh të mbroj Veliajn para interesave politike të Ramës!
Lajme

Ndreca: Zgjedh të mbroj Veliajn para interesave politike të Ramës!

Avokati paralajmëron kallëzim penal

Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka bërë të ditur se po shqyrton mundësinë e depozitimit të një kallëzimi penal lidhur me kërcënimet që, sipas pretendimeve të kryebashkiakut të Tiranës, i janë përcjellë nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në emër të kryeministrit Edi Rama.

Në një prononcim për mediat, Ndreca konfirmoi se çështja është bërë e ditur edhe për ekipin e avokatëve të huaj që ndjek mbrojtjen e Veliajt. Megjithatë, ai sqaroi se për ndërmarrjen e një hapi ligjor duhet të komunikojë dhe të marrë konfirmimin e klientit të tij, proces që është vështirësuar pas transferimit të kryebashkiakut nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit.

“Jemi duke e vlerësuar kallëzimin penal. Duhet të më mirëkuptoni edhe vështirësinë tani në komunikimin me Veliajn, sepse më duhet të shkoj çdo ditë 300 km kur e kam të mundur, sepse janë çështje që nuk mund të bëhen pa konfirmimin e klientit. Janë bërë me dije edhe avokatët e huaj dhe po e vlerësojmë”, deklaroi Ndreca.

Ndreca mohon përfshirjen në protesta: Veliaj i ka bërë ftesë publike Ramës, të nxjerrë provat

Avokati ka komentuar gjithashtu pretendimet për përfshirjen e Erion Veliajt në financimin apo organizimin e protestave që po zhvillohen kundër qeverisë. Ai i ka hedhur poshtë këto akuza, duke deklaruar se vetë nuk ka marrë pjesë në tubime dhe se kryebashkiaku nuk ka pasur mundësi objektive për të ndërmarrë veprime të tilla.

Ndreca, i cili është gjithashtu pjesë e Partisë Socialiste, theksoi se qëndrimi i tij ndaj protestave nuk duhet ngatërruar me çështjen e mbrojtjes ligjore të Veliajt.

“Nuk kam marrë pjesë në protesta. Unë jam pjesë e PS, ka mënyra të ndryshme për të reflektuar mbi protestat. Veliaj nuk ka mundësi objektive që të bëjë nga këto akuza. Ai i ka bërë ftesë publike Ramës, nxirrni provat”, u shpreh avokati.

“Unë do të mbroj interesat ligjore të Veliajt, edhe nëse kjo mund të më kushtojë”

Një nga deklaratat më të forta të Ndrecës lidhet me raportin e tij me kryeministrin Edi Rama dhe zgjedhjen që, sipas tij, ka bërë mes angazhimit politik në Partinë Socialiste dhe detyrimit profesional për të mbrojtur Erion Veliajn.

Avokati zbuloi se rreth 20 ditë më parë ka zhvilluar një komunikim me kreun e qeverisë, gjatë të cilit i ka bërë të qartë se, në rast konflikti mes interesave politike dhe atyre ligjore të klientit të tij, do të vendosë në plan të parë mbrojtjen juridike të këtij të fundit.

Ndreca pranoi se ky qëndrim mund të ketë pasoja për të, por theksoi se respektimi i të drejtave të njeriut dhe garantimi i mbrojtjes ligjore duhet të prevalojnë mbi çdo interes politik.

“Ashtu siç ia kam thënë kryeministrit, nëse përplas interesat e mia si një prej drejtuesve politikë të qarkut të Tiranës, të PS apo interesave politike të kryeministrit me interesat ligjore të zotit Veliaj, unë do të mbroj interesat ligjore si person që ka nevojë për mbrojtje ligjore. Kjo mund të më kushtojë, por është më e rëndësishme të mbrohen të drejtat e njeriut, sepse kështu bëjmë politikë më të mirë.

Nëse ndodh një gjë e tillë, unë do të jem në krah të Veliajt. Unë këtë ia kam thënë Edi Ramës që para 20 ditësh. Kishte një komunikim mes meje dhe kryeministrit. Në momentin e duhur do të bëj edhe detajet”, deklaroi Plarent Ndreca.

Deklaratat e avokatit vijnë në një moment kur përplasja mes Erion Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama është shoqëruar me pretendime për mesazhe dhe presione politike, të cilat kryebashkiaku ka thënë se i janë përcjellë përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.

Ndërkohë, mundësia e një kallëzimi penal dhe qëndrimi i shprehur publikisht nga Ndreca për të mos vendosur interesat politike mbi mbrojtjen e klientit hapin një tjetër kapitull në këtë përplasje, ndërsa mbetet për t’u parë nëse pretendimet do të pasohen nga hapa konkretë ligjorë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.