Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur tashmë zgjedhjet e mesmandatit ku miliona qytetarë po votojnë për përbërjen e re të Kongresit. Qendrat e para të votimit janë hapur në Vermont, ndërsa procesi do të vijojë gradualisht në shtetet e tjera amerikane.
Në këto zgjedhje janë në garë të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 vendet në Senat. Gjithashtu, në 36 shtete qytetarët do të votojnë edhe për guvernatorët e rinj.
Votimi shihet si një test i rëndësishëm politik për presidentin Donald Trump dhe administratën e tij, pasi rezultati do të përcaktojë nëse republikanët do të ruajnë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit apo demokratët do të arrijnë të marrin shumicën në njërën ose të dyja.
Një fitore e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve do t’u jepte atyre mundësinë të nisin procedura të reja hetimore dhe politike ndaj administratës Trump, përfshirë edhe një proces të mundshëm shkarkimi, i cili kërkon më pas vendimmarrjen e Senatit.
Interesi për këto zgjedhje është i lartë. Mbi 57 milionë amerikanë kanë votuar paraprakisht, ndërsa pjesëmarrja pritet të jetë një nga treguesit kryesorë të garës.
Qendrat e votimit do të mbyllen në orare të ndryshme, në varësi të shtetit, ndërsa rezultatet e para pritet të dalin gjatë mbrëmjes, pasi të përfundojë votimi në zonat përkatëse. Gara në disa shtete mund të kërkojë më shumë kohë për t’u shpallur përfundimtare.













