Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po ndërmerr veprime ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj nga frika se mund të humbasë Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore. Në një dalje për mediat, Berisha u ndal te transferimi i Veliajt dhe pretendimet për kërcënime ndaj tij, duke e cilësuar ndërhyrjen e fundit si të kryer në kundërshtim me procedurat. Kreu i PD-së tha se opozita duhet të bashkohet për zgjedhjet vendore, me kandidatë të përbashkët në një koalicion të gjerë në të gjithë vendin, përfshirë edhe Tiranën.

Berisha u shpreh se, pavarësisht qëndrimit të tij se Rama nuk garanton zgjedhje të lira, bashkimi i forcave opozitare në zgjedhje, protesta dhe në çdo formë tjetër është rruga për t’u përballur me qeverinë.

“Nuk ka dyshim se ai, me ndërhyrjen e fundit, me transferimin e tij në kundërshtim me të gjitha procedurat, është i gatshëm të ndërmarrë çdo akt ndaj tij nga frika se do të humbasë Bashkinë e Tiranës. Në qoftë se analizojmë këtë situatë, PD dhe partitë opozitare mendoj se kanë përgjegjësinë në betejën kundër kësaj të keqeje të madhe të bashkohen në këto zgjedhje vendore me kandidatë të përbashkët në një koalicion të gjerë në gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe Tiranën. Ju mund të më pyesni prapë, a bën Edi Rama zgjedhje? Jo, Edi Rama nuk bën zgjedhje dhe cilido që beson se Edi Rama bën zgjedhje, mashtron veten e tij, por bashkimi i të gjitha forcave opozitare në qëndrimet qoftë zgjedhore, qoftë protestat, qoftë në çdo aspekt, është rruga e vetme për t’u përballur me narkodiktatorët apo diktatorët autoritarë.

Kështu që ky është qëndrimi ynë. Ne jemi të hapur. Ne do të bëjmë gjithçka për të bashkëpunuar me të gjithë pa përjashtim, me të gjitha forcat politike, me të gjitha shoqatat, me të gjithë faktorët që janë të vendosur, ose e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe të këtij vendi, për largimin e tij, qoftë në fushën elektorale, qoftë në fushën e protestave, qoftë në çdo fushë tjetër.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb