Gjykata e Posaçme e Apelit, ka caktuar masat e sigurisë për Fatjon Kalluçin dhe biznesmenin Embro Sulejmani, të arrestuar në kuadër të hetimeve për skandalin e AKSHI-t, ku dyshohet se kanë ndihmuar Ergys Agasin gjatë kohës që ky i fundit ishte në kërkim.
Sipas vendimit të gjykatës, ish Shefi i Sektorit të Administrimit të Provave në Institutin e Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi do të qëndrojë në burg, pasi është lënë në fuqi masa e sigurisë “Arrest në burg”.
Ndërsa për biznesmenin Embro Sulejmani është vendosur masa “Detyrim paraqitjeje”, si dhe ndalimi i daljes jashtë territorit të Shqipërisë. Ai do të duhet të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 09:00, pranë oficerit të policisë gjyqësore që po heton çështjen.
Me këtë vendim, gjykata ka urdhëruar edhe lirimin e menjëhershëm të Sulejmanit, nëse ai nuk mbahet i ndaluar për ndonjë shkak tjetër ligjor.
Ndaj vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga dita pas njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Të dy personat janë nën hetim për dyshimet se i kanë dhënë ndihmë Ergys Agasit gjatë periudhës kur ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të hetimeve që lidhen me çështjen e AKSHI-t.
Akuzat për secilin
Sipas dyshimeve të SPAK, Fatjon Kalluçi, i cili mbante detyrën e shefit të Policisë Shkencore, dyshohet se i ka vënë në dispozicion Ergys Agasit informacione nga aktet e ekspertimit të një automjeti tip “Land Rover Defender”, me targë GG444AA, të gjetur në ambientet e “Equos Resort”. Konkretisht, sipas hetimeve, Kalluçi i ka dërguar Agasit tre fotografi të ekspertizës së automjetit, të cilat dyshohet se përmbanin të dhëna që nuk duhej të bëheshin publike. Për këtë arsye, ai hetohet për veprën penale të zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete.
Ndërsa Embro Sulejmani, i cili punonte si kryekamarier i “Kodrës së Kuajve”, një prej ambienteve të frekuentuara nga Agasi në Durrës, dyshohet se e ka ndihmuar këtë të fundit gjatë kohës që ishte në kërkim, duke i dërguar ushqime. Sipas raportimeve mbi hetimet, komunikimet për këto dërgesa janë zbuluar në telefonin e Agasit. Sulejmani ka pranuar se i ka dërguar ushqime, por ka mohuar të ketë kryer vepër penale. Ai hetohet për përkrahje të autorit të krimit.













