Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih ka mirëpritur sipërmarrësen shqiptare në Zvicër, Fatlume (Sutaj) Sadiku, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet në fushën e inteligjencës artificiale dhe transformimin digjital të sektorit të shëndetësisë.

Përmes një njoftimi në Facebook, Konsullata ka vlerësuar rrugëtimin akademik dhe profesional të Sadikut, duke e cilësuar atë si një shembull frymëzues të përkushtimit dhe kontributit të mërgatës shqiptare, shkruan Telegrafi.


Me prejardhje nga Peja, Sadiku ka ndërtuar një karrierë ndërdisiplinore në teknologji, shëndetësi dhe shkencë. Ajo ka studiuar Shkenca Kompjuterike në Universitetin e Passaut në Gjermani, ndërsa gjatë karrierës së saj ka punuar si asistente shkencore në Klinikën Universitare të Frankfurtit dhe në Qendrën Gjermane për Hulumtime të Kancerit (DKFZ) në Heidelberg.

Më pas, ajo është angazhuar në menaxhimin e projekteve të transformimit digjital të klinikave dhe spitaleve në Zvicër, përfshirë Spitalin Universitar të Bazelit, ku ka kontribuar në projektin kombëtar Swiss Personalized Health Network (SPHN), në fushën e integrimit dhe shkëmbimit të të dhënave klinike për qëllime kërkimore.

Që nga viti 2023, Sadiku drejton kompaninë e saj Mirditech GmbH në Thalwil të Cyrihut, e cila synon të avancojë përdorimin e teknologjisë në shëndetësi, me fokus në kujdesin parandalues dhe të personalizuar.

Gjatë takimit në Konsullatën e Kosovës në Cyrih, vëmendje e veçantë iu kushtua përvojës së saj profesionale, mundësive që ofron inteligjenca artificiale dhe rolit të transformimit digjital në zhvillimin e sistemit shëndetësor.

Konsullata ka theksuar rëndësinë e promovimit të sukseseve dhe kontributit të profesionistëve shqiptarë në diasporë./Telegrafi/