Rama: Ursula i mban 7 fëmijët rreth tryezës, kështu duhet të veprojë edhe BE-ja me vendet kandidate
Kryeministri Edi Rama ka folur në samitin “Euronews Enlargement Summit”, në një intervistë me gazetaren Maria Tadeo, ku është ndalur te rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe sfidat e së ardhmes.
Gjatë intervistës, Rama theksoi se diskutimet për të ardhmen e zgjerimit nuk lidhen vetëm me Shqipërinë apo Malin e Zi, por me vetë identitetin dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian.
Kryeministri nënvizoi se procesi i anëtarësimit duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe se askush nuk duhet të kërkojë dhurata apo rrugë të shkurtra.
Megjithatë, Rama përdori një krahasim me familjen e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të argumentuar se vendet kandidate nuk duhet të lihen jashtë diskutimeve.
Rama: BE duket sikur po eksploron alternativa të ndryshme. Ka pasur një dokument të përbashkët francez dhe gjerman që në periudhën e ndërmjetme… Është diskutuar dhe është diskutuar në çdo rast. Nuk ka të bëjë me Shqipërinë apo me Malin e Zi. Ka të bëjë me vetë BE-në, me vetë Evropën, çfarë është Evropa dhe çfarë kërkon të jetë. Unë besoj fort që, në një botë që po çmendet, ku ka realitete që po ndryshojnë dhe forca që po bëhen shumë të rëndësishme, BE-ja duhet të bëjë diçka që është po kaq e guximshme, që shkon përtej kësaj pune të përditshme. Unë kam bindjen se procesi i bazuar në meritë duhet të jetë. Askush nuk duhet të kërkojë dhuratë apo rrugë të shkurtër në proces. Është njësoj si patenta: të duhet patentë, por të duhet edhe ta drejtosh mirë atë mjet, ndryshe do të përplasesh. BE-ja duhet të jetë në gjendje të gjejë momentin Helmut Kohl, kur ai shkoi te muri që ishte rrëzuar. Nuk u tha bashkëqytetarëve që jeni të lirë. U tha: “Mirë se vini, të gjithë bashkë jemi në këtë situatë”. Këtë duhet të bëjë Evropa sot, të sjellë gjithkënd rreth tryezës si familje, njësoj si Ursula sjell fëmijët e saj. Ne jemi 7, po të na numërosh. 7 fëmijët e Ursulës. Ajo nuk i rriti fëmijët në lagje, i mbajti rreth tryezës. Sigurisht që nuk ishin ata që merrnin vendime rreth tryezës. Pastaj të gjithë kalojnë në procesin e bazuar në meritë. Kur dikush si Serbia nuk realizon, është në tryezë, por nuk merr asgjë. Mesazhi për botën, për Rusinë e aktorët e tjerë, është që nuk mund t’i thoni asnjë popullsie që kurrë nuk do të jeni pjesë e jona. Nëse i lë fëmijët në lagje, vajza nuk vjen më në shtëpi, sepse do të bjerë në dashuri me një gangster rus. Djali nuk do të jetë më i lumtur të ndjekë procesin me meritë, sepse do t’i pëlqejë të luajë me lodra kineze dhe do të martohet me një robot kinez që duket si një bukuroshe bjonde. Prandaj duhet të na merrni pranë tryezës.




