Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është takuar në Berlin me ministrin gjerman të Shtetit për Europën, Gunther Krichbaum, gjatë vizitës së tij zyrtare në Gjermani.

Në qendër të bisedimeve ishte rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, reformat dhe përparimi i qëndrueshëm në këtë proces.

Dy ministrat diskutuan gjithashtu mbështetjen e Gjermanisë për zgjerimin e BE-së dhe rëndësinë e një procesi anëtarësimi të besueshëm, të bazuar në meritë dhe në rezultate konkrete të reformave.

Pas takimit, Hoxha publikoi një mesazh në rrjetin social X, ku vlerësoi rolin e Gjermanisë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Gjermania është një partner kyç dhe një mbështetëse e fortë e udhëtimit evropian të Shqipërisë”, shkroi Hoxha.

“Ne e vlerësojmë thellësisht këtë partneritet dhe presim me padurim të punojmë edhe më ngushtë së bashku për një marrëdhënie më të fortë dypalëshe dhe për të ardhmen e përbashkët evropiane”, deklaroi ministri i Jashtëm.