Shqetësim qytetar në Sarandë: Vijat ndarëse në mes të rrugës, por njëri krah përdoret për parkim Një qytetar i Sarandës ka ngritur një shqetësim lidhur me mënyrën e organizimit të qarkullimit dhe vijëzimin e rrugëve të qytetit, ku automjetet e parkuara në njërin krah i detyrojnë drejtuesit e mjeteve të kalojnë përtej vijës ndarëse, duke hyrë pjesërisht në korsinë e kundërt.
Problemi është i pranishëm në shumë prej rrugëve të Sarandës me dy sense kalimi. Ndonëse vijat ndarëse janë vendosur në mesin e rrugës, një pjesë e konsiderueshme e njërës korsi përdoret për parkimin e automjeteve, duke e bërë praktikisht të pamundur respektimin e vijëzimit nga drejtuesit që qarkullojnë në atë drejtim.
Në pamjet e dërguara në Saranda Web, qytetari tregon se si automjetet e parkuara përgjatë rrugës e detyrojnë të zhvendoset drejt mesit të saj, duke kaluar vijën ndarëse për të vazhduar lëvizjen.
“Përgjatë gjithë këtij segmenti rrugor, vijëzimet ose duhet të zbatohen, ose të ndryshohen, sepse në rast aksidenti del fajtor pa pasur gabim”, shprehet qytetari.
Shqetësimi lidhet jo vetëm me vështirësitë e përditshme të qarkullimit, por edhe me përgjegjësinë që mund t’u ngarkohet drejtuesve të automjeteve në rast aksidenti. Sipas qytetarit, drejtuesit gjenden përballë një situate ku, për të vazhduar rrugën, detyrohen të shkelin vijëzimin horizontal, edhe pse pengesa krijohet nga automjetet e parkuara. Kjo situatë ngre pikëpyetje mbi përputhjen e sinjalistikës rrugore me kushtet reale të qarkullimit.
Qytetari kërkon që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë, duke rishikuar vijëzimin horizontal dhe organizimin e parkimit, në mënyrë që drejtuesit e automjeteve të mos gjenden çdo ditë përballë detyrimit praktik për të kaluar në korsinë e kundërt.
Problemi nuk kufizohet vetëm në segmentin e filmuar, por është një shqetësim që vërehet në shumë rrugë të qytetit të Sarandës, ku parkimi i automjeteve dhe vijëzimi ekzistues krijojnë vështirësi për qarkullimin.
Saranda Web e përcjell këtë shqetësim qytetar, duke kërkuar vëmendjen e institucioneve përgjegjëse për një zgjidhje që garanton sigurinë rrugore dhe rregulla të qarta për të gjithë përdoruesit e rrugës. Saranda Web