Buxheti i Kosovës për 2027, Kurti: Rritje pagash e shtesash për fëmijët, mbi 1 miliard euro për investime
Qeveria e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerën prej 4.27 miliardë eurosh, duke parashikuar rritje të pagave në sektorin publik, shtesa më të larta për fëmijët dhe pensionet, pagën e 13-të, si dhe më shumë fonde për mbrojtjen ligjore të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se projektbuxheti është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për vitin 2026. Dokumenti do t’i përcillet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, më 2 nëntor, Kurti deklaroi se ekonomia po rritet dhe punësimi po shtohet. Ai iu referua të dhënave për dy tremujorët e parë të vitit, ku rritja ekonomike ishte përkatësisht 5.4 dhe 5.1 për qind.
Sipas tij, një nga karakteristikat kryesore të buxhetit të ri do të jenë investimet kapitale, për të cilat është parashikuar për herë të parë një shumë mbi 1 miliard euro. Në këtë kategori përfshihen projekte të mëdha infrastrukturore, mes tyre unaza e jashtme e Prishtinës, segmenti Duhël-Banullë, autostrada e Dukagjinit, si dhe zgjerimi e rehabilitimi i rrugëve të tjera rajonale dhe nacionale.
Projektbuxheti parashikon rritjen e shtesave për fëmijë në katër faza, me nga 25 për qind çdo vit, duke nisur nga janari i vitit 2027. Sipas planit të prezantuar nga Kurti, procesi do të përfundojë në vitin 2030, kur shtesat do të jenë dyfishuar.
Kryeministri solli si shembull një familje me dy fëmijë, e cila nga janari do të përfitojë gjithsej 75 euro në muaj.
Një tjetër masë e parashikuar është rritja e koeficientit të pagave, që sipas Kurtit do të sjellë një shtesë prej 120 eurosh për punonjësit, si dhe dhënia e pagës së 13-të.
“Në pjesën e parë të vitit është paga e 13-të, ndërkaq në pjesën e dytë rritja e pagës për të gjithë nëpunësit. Kjo e çon buxhetin e pagave në 1 miliard e 85 milionë euro, e që kur përpjesëtohet me rreth 85 mijë nëpunës publikë, paga mesatare bruto rezulton mbi 12 mijë euro [në vit], apo mbi 1 mijë euro bruto në muaj”, tha Kurti.
Punonjësit e sektorit publik e përfituan pagën e 13-të edhe në mars të këtij viti. Ata që kishin të paktën një vit përvojë pune morën një pagë të plotë, ndërsa për punonjësit me më pak se një vit, pagesa u llogarit në mënyrë proporcionale.
Në projektbuxhetin e vitit 2027 është parashikuar gjithashtu rritja e fondeve për ekipet mbrojtëse të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në Hagë.
Katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan në shkallë të parë për krime lufte më 16 shtator. Qeveria e Kosovës është zotuar se do të mbështesë përpjekjet për kundërshtimin e vendimit në fazën e Apelit.
Për këtë qëllim është krijuar edhe një grup punues, i udhëhequr nga ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ku marrin pjesë përfaqësues të partive politike. Kurti tha se Qeveria pret që grupi të hartojë një strategji, e cila do të përcaktojë hapat e mëtejshëm të mbështetjes.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se projektbuxheti parashikon edhe rritje të fondeve për barnat esenciale. Kjo është një nga arsyet që buxheti për mallra dhe shërbime është planifikuar në 586 milionë euro.
Ndërkohë, për kategorinë e subvencioneve dhe transfertave janë ndarë 1 miliard e 446 milionë euro. Sipas Muratit, kjo kategori shënon rritje prej 6.5 për qind dhe përfshin shtesat për fëmijë, si dhe rritjen e pensioneve, përfshirë pensionin bazik.
Një tjetër projekt i përfshirë në buxhet është themelimi i kompanisë së parë ajrore të Kosovës. Megjithatë, ekspertë të aviacionit civil kanë ngritur më herët pikëpyetje për qëndrueshmërinë e një kompanie shtetërore, duke iu referuar kostove të larta dhe konkurrencës ndërkombëtare.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.






