Vdekja e Jesus de Miguel ka tronditur futbollin spanjoll, ndërsa pas tragjedisë ka lindur edhe një tjetër pikëpyetje: çfarë pasojash mund të përballet portieri i Andorrës, Jesus Owono, protagonist i përplasjes fatale me sulmuesin e Tenerife-s?
Gardiani 25-vjeçar nga Guinea Ekuatoriale u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së rrezikshme në minutat e fundit të ndeshjes së Segunda Division, ku goditi me gju në pjesën e sipërme të trupit De Miguelin.
Ngjarja ndodhi në kohën shtesë, kur Owono doli shumë larg zonës së tij, praktikisht deri në mesfushë, për të ndërhyrë në një aksion. Lëvizja e tij në ajër ishte e pakontrolluar dhe përfundoi me përplasjen e rëndë, pas së cilës sulmuesi humbi jetën.
Përtej ndëshkimit sportiv, tashmë po diskutohet edhe mundësia e përgjegjësisë penale për portierin. Megjithatë, sipas ekspertit të së drejtës sportive, Miguel Galán, një skenar i tillë duket i vështirë.
“Kur bëhet fjalë për një top të diskutueshëm dhe një ndërhyrje të vonuar, tendenca aktuale e Gjykatës Supreme spanjolle është drejt pushimit të çështjes ose shpalljes së pafajësisë”, ka shpjeguar Galán në rrjetet sociale.
Sipas interpretimit të jurisprudencës spanjolle, elementi vendimtar në raste të tilla është qëllimi i lojtarit dhe jo vetëm rëndësia e pasojave. Tejkalimet apo ndërhyrjet e rrezikshme gjatë një aksioni futbollistik zakonisht trajtohen në kuadër të disiplinës sportive dhe jo domosdoshmërish si vepra penale.
Ndërkohë, Oëono po kalon momente jashtëzakonisht të vështira psikologjike. Sipas raportimit të Cadena COPE, portieri ishte thellësisht i tronditur edhe përpara se të mësonte lajmin për vdekjen e De Miguelit dhe kishte shprehur dëshirën t’i kërkonte privatisht falje familjes së futbollistit.
