Flamingot po kthehen në vizitorë gjithnjë e më të zakonshëm të liqenit të Pogradecit. Dikur shfaqja e tyre ishte një dukuri e rrallë, por vitet e fundit këta shpendë rozë po shihen më shpesh në brigjet e liqenit të Ohrit, duke u dhuruar banorëve dhe turistëve një pamje të veçantë.
Gjatë shtegtimit në vjeshtë dhe pranverë, flamingot ndalen në liqen për disa ditë, kryesisht në tufa të vogla. Shumica janë shpendë të rinj, të cilët nuk arrijnë ta përballojnë pa pushim rrugën e gjatë të shtegtimit.
Për ta, liqeni i Pogradecit shërben si një vend çlodhjeje përpara se të vazhdojnë udhëtimin drejt lagunave bregdetare të vendit, si Narta dhe Divjakë-Karavastaja.
Zona nga Driloni në Tushemisht është kthyer në një nga vendet ku flamingot ndalen më shpesh. Tërheqja e ujit të liqenit në këtë pjesë ka krijuar kushte të ngjashme me habitatin e tyre natyror, që janë kryesisht lagunat bregdetare.
Prania e tyre e përsëritur po bën që flamingot, dikur një pamje e pazakontë për Pogradecin, të kthehen dalëngadalë në pjesë të peizazhit të liqenit.

